Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla deklaroi sot se do të kërkojë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në datë 4 maj për kalendarin për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në datë 10 maj të zhvillohet raundi i parë, ku kërkohet shumicë e cilësuar, 84 vota për emrin e ri të kreut të shtetit.
Por si po procedohet me propozimet që kanë ardhur nga qytetarët dhe deputetët e PS-së? “Propozimet që kanë ardhur me e-mail po ruhen me seriozitet dhe më pas do të bëhet një përzgjedhje. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në propozime, meritojnë falënderime.
Sa kohë jemi në bisedime nuk do të bëjmë publikimet e emrave. Në fazën e parë do të diskutojmë kalendarin dhe profilin. Dhe nëse do të biem dakord për profilin, do të jemi short listën përkatëse për propozimet e deputetëve dhe shoqëria civile” tha Balla.
Por cilët janë emrat që janë propozuar deri tani nga socialistët? Balla tha se nuk do të publikohen.
“Nuk jemi në fazën që sot të shprehemi për emra, do të vijë një moment tjetër gjatë këtij procesi, që nëse kemi rënë dakord për profilin të negociojmë për emrat. Patjetër që zarfet janë hapur, janë administruar sipas një norme të grupit të PS-së dhe janë aty” tha Balla.
Shefi i grupit socialist kishte një thirrje për deputetët e PD-së dhe injoroi Sali Berishën. “Brenda opozitës të mbizotërojë përgjegjësia e përgjegjësisë. Asnjë prej palëve në këtë vend nuk mund ti shmanget, do ta quaja dobësi dhe papërgjegjshmëri.
Sali Berisha nuk ekziston, as si grup parlamentar, është një deputet në Kuvend. Nuk është një grup parlamentar. Me Sali Berishën, as nuk ka, as nuk do të ketë ndonjëherë negociata për asgjë.
Sali Berisha për ne nuk ekziston dhe nuk negociojmë. Ajo që unë di, që në Kuvendin e Shqipërisë janë si grupe tre grupe parlamentare. As sot dhe as mot me Berishën nuk ka negociata” deklaroi ai.