Dimri është koha e vitit që njerëzit hyjnë në marrëdhënie si një mënyrë për të shmangur mërzinë dhe depresionin. Por vera qenka koha kur ndodhin më shumë ndarjet. Sipas psikologes Dr.Danielle Forshee, ulja e dritës së diellit gjatë muajve të dimrit dhe rritja gjatë verës ka të bëjë me ndarjet.
Ajo thotë për Cosmopolitan se kjo ndodh sepse “Kur ka një rënie të dritës së diellit, trupi prodhon më shumë melatonin (një hormon që i përgjigjet errësirës dhe ju bën të lodhur) dhe prodhon më pak serotonin, neurotransmetuesin që na bën të ndihemi të lumtur dhe mirë”. Por “ndërsa rrezet e diellit dalin më shumë në verë, truri prodhon më pak melatoninë dhe më shumë serotoninë, duke ju bërë të ndiheni më të lumtur dhe mund të mos ndjeni nevojën për të qenë pranë dikujt tjetër për të ofruar atë ndjenjë sigurie dhe lumturie”, thotë psikologia.
Moti më i ngrohtë sjell një dëshirë të shtuar për të dalë jashtë. Më shumë kohë jashtë e kaluar nën rrezet e diellit do të thotë të takosh njerëz të rinj, të shoqërohesh më shumë dhe në përgjithësi të jesh më i lumtur. Kështu shumë njerëz nuk kanë nevojë për një partner për të qenë të lumtur dhe ndarjet janë të shpeshta.
Nga të dhënat e Facebook, me një analizë të vitit 2010, statuset me frazën “ndarje” ishin më të shpeshta gjatë stinës së ngrohtë.