Sali Berisha mori pjesë këtë të shtunë në protestën e heshtur të organizuar nga Komisionit i Rithemelimit në lidhje me vetëvrasjen e të riut Ilvi Meta në komisariatin e Kavajës.

Teksa po jepte një prononcim për media nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, Berisha u pyet nga gazetari Report TV pse nuk reagoi në lidhje me vrasjet e 21 janarit dhe po reagon tani.

Berisha u shpreh se dy ngjarjet nuk mund të krahasohen pasi në rastin e protestës së 21 janarit kishim persona që po agresionin Gardën dhe po qëllonin me plumba ndaj kryeministrisë, ndërsa në rastin e të riut në Kavajë, ky i fundit ishte në qeli dhe i pambrojtur.

“Kanë humbur jetën 4 njerëz në një demonstratë që po gjuhej me plumba drejt kryeministrisë. Janë të filmuara. Nëse doni të gënjeni para kamerave, ju mund të turpëroni veten.

Ka patur plumba në xhama, përveç mediave që nuk duan t’i shohin, se të tjerat i kanë dhënë.

Është Sali Berisha ai që ka kërkuar në mënyrë të përsëritur në parlament shpalljen e tyre, vrasjen e shtetërore padashje, po them për Gërdecin këtu. Pse e kam bërë këtë? Se garantimi i vendit ka qenë i Ministrisë së Mbrojtjes.

Këta zotërinjtë këtu janë vlerësuar që të gjithë dhe janë dhënë disa dënime për tejkalim të kompetencave nga Garda. Garda u agresua dhe ka një ligj, nëse ushtari i Gardës agresohet njëherë, qëllon në ajër, nëse agresohet për së dyti, qëllon te këmbët dhe nëse agresioni vazhdon asgjesohet personi.

Garda nuk vepron me urdhër vepron me një ligj që e miratoi qeveria socialiste. Të krahasosh një person që qëllon me gur me dinamit ndaj gardës me një njeri që ndodhet në qeli dhe del i vdekur, ka një verbëri militanteske”, tha Berisha.