Vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit autoritetet e migracionit në Durrës kanë lëshuar 312 leje qëndrimi për motive pune, ndërsa po trajtojnë kërkesa të tjera.

Durrësi prej dy vitesh po vuan mungesën e fuqisë punëtore. Shumë hotele dhe subjekte kanë probleme gjatë sezonit të plotësojnë kërkesat e duhura për punonjës dhe shumë hotele kanë nisur të marrin dhe staf nga shtete si Turqia, Filipinet dhe Maqedonia“, Blerim Norja, menaxher turizmi.

“Përveç pagës, ka dhe kosto dokumentacioni e rruge që shkojnë 600-1000 euro për person, plus u ofrohet dhe akomodim e ushqim. Pra çdo biznes ka një kosto 20-30% më të lartë se një punëtor vendas. 

Po standarde më të mira shërbimi kush ofron?

-Standardet deri tani kanë qenë më të mira nga punonjësit e huaj, kjo ndoshta dhe nga kultura që kanë në turizëm, po ne preferojmë punonjësit vendas.”

Në mungesë të fuqisë punëtore, që vijon të largohet nga vendi apo të shfaqet e painteresuar, operatorët turistikë janë detyruar t’i drejtohen tregjeve të huaja të punës.

Edhe pse zyrtarisht sezoni turistik çelet në maj, turistët e huaj i ndesh kudo në qytet dhe bregdet.

“Është kaq këndshëm këtu. Vijmë nga Suedia për të luajtur bridge dhe njohur e shijuar vendin. Është hera ime e dytë dhe u ktheva me shumë të tjerë. Njerëz miqësorë, edhe në hotel. Vendi shumë i bukur, ushqimi fantastik dhe këto objekte antike që na mësojmë se ka shumë histori ky vend”, tha turistja.

“Është hera ime e parë në Shqipëri. Bukur, po më duket vend i varfër. Gjithsesi është dita e parë dhe nuk kam parë ende shumë gjëra”, tha turistja.

Me shtimin e turistëve, rritet edhe nevoja për shërbime të kualifikuara, të cilat së bashku me infrastrukturën mbeten elementët më të rëndësishëm për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në vend. /tch