Rama ka lënë në ‘mëshirë të fatit’ bujqësinë pasi askujt në qeveri nuk i intereson puna dhe djersa e ndershme e fermerëve që punojnë nga mëngjesi deri në darkë për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre.
Në krahun tjetër i gjithë pushteti qendror dhe lokal socialist është në funksion të ndonjë ‘skeme’ të mundshme korruptive me qëllim që të vjedhin sa më shumë para nga taksat e shqiptarëve.
Që në fillim të vitit kryeministri Edi Rama i gënjeu fermerët duke i thënë se “do t’u hidhte në llogari bankare një kuotë të caktuar parash që do të shërbenin për subvencionimin e naftës”, e përllogaritur në raport me tokën dhe kulturën bujqësore që kultivohej.
Menjëherë pas premtimit të Ramës, gjatë pranverës të gjithë fermerët vrapuan drejt bankave të nivelit të dytë për të hapur ‘llogari bankare’ për të marrë bonusin e premtuar nga kreu i qeverisë.
Sot jemi drejt fundit të sezonit të prodhimeve bujqësore dhe gjithçka rezultoi një “farsë” dhe gënjeshtër e madhe e Edi Ramës për fermerët të cilët vazhdojnë presin, ndërsa jo pak herë prodhimet i hedhin në kanal për shkak se mungon tregu i shitjes.
- Realiteti – fermerët pa naftë
Traktori këtë sezon bujqësor në tokat e fermerëve tanë nuk po punon me naftën pa akcizë, por ata po e blejnë ata me çmimin e tregut. Të gjithë fermerët që u shpallën fitues të Skemës Kombëtare 2024 deri më tani në llogarinë e tyre bankare nuk ju kanë kaluar paratë për naftën.
“Bujqësinë nuk e shikon askush, sikur të na jepnin subvencionim. Kam marrë një herë naftë, por të këtij viti jemi akoma në pritje“, tha fermeri për mikrofonin e Top Channel.
Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku thotë se kjo vonesë e ka një shpjegim, por punët e tokës nuk presin.
“Nafta nuk është dhënë sepse nuk është alokar fondi nga Ministria e Financave, por ajo që duhet thënë është se duhet shpërndarë menjëherë”-shprehet Ilir Pilku.
Nafta e bujqësisë deri më tani ka shkuar në traktorët vetëm të shoqërive të bashkimit të fermerëve dhe jo atyre individuale, një vendim i tillë ka shkaktuar pakënaqësinë tek bujqit e tjerë.
“Nafta e është e nevojshme në çdo muaj të vitit, por ajo duhet të shpërndahet menjëherë me qëllimin që fermerët të bëjnë një llogari të kostove në sezonin e ri bujqësor”- u shpreh Ilir Kapaj zv\rektori UBT.
Vonesa e subvencionit të naftës pa akcizë, përkthehet për fermerët shtim të kostove të prodhimit, ndërsa për konsumatorin sjell një produkt më të shtrenjtë në tryezë.