Tenderat e Teknologjisë së Informacionit po shndërrohen në një gropë të madhe të parasë publike, pasi në shumicën e rasteve paratë e shpenzuara asgjësojnë ose dublojnë veten. Për këtë mjafton vetëm një fakt. Qeveria shqiptare ka shpenzuar më shumë para për të ngritur sisteme kompjuterike gjobash se sa paguan për të sëmurët në pavionin e onkologjikut. Dhe shpenzimet vazhdojnë. Rasti i radhës është sistemi i ri qëndror i gjobave.
Pasi shpenzoi rreth 3.5 milionë euro për përmirësimin e sistemit të gjobave të policisë rrugore, tani AKSHI-t do të shpenzojë edhe 3 milionë e 600 mijë euro të tjera për të ndërtuar një portal të centralizuar për të gjitha gjobat e shtetit.
Sipas dokumentave të depozituara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, fituesi i tenderit do të ndërtojë një portal unik, i cili do të centralizojë të gjitha gjobat që vendosen nga institucionet dhe inspektoriatet e ndryshme të shtetit.
“Qëllimi është të ndërtohet një portal qëndror që mundëson menaxhimin e të gjitha aspekteve të gjobave, duke filluar nga lëshimi i tyre deri tek mbledhja dhe regjistrimi i pagesave. Ky portal do të jetë i aksesueshëm për të gjitha institucionet dhe agjencitë qeveritare dhe do të ofrojë një mjedis të përshtatshëm për qytetarët dhe bizneset për të shlyer detyrimet e tyre financiare,” thuhet në dokumentat e tenderit.
Portali do tu mundësojë gjithashtu edhe qytetarëve apo bizneseve që të shohin në kohë reale gjobat që ata kanë marrë nga shteti.
“Ofrimi i një ndërfaqeje të thjeshtë dhe intuitive për qytetarët dhe bizneset e aksesueshme përmes portalit e-albania për të menaxhuar dhe kryer pagesat e tyre, duke përfshirë gjithashtu funksionalitete për njoftimin automatik dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore,” thuhet në dokumenta.
KLSH: Sistemi i gjobave të policisë i dështuar
Nga auditimi mbi procesverbalet e konstatimit të shkeljes përshkruhet se fotografimi nuk është bërë pjesë e formularit të miratuar për kundërvajtjen, miratuar me VKM nr. 42, datë 30.01.2019 “Për disa shtesa në VKM nr. 153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave”.
Fotografimi është prova që vërteton shkeljen e konstatuar.
Mungesa e kësaj prove në informacionin që i vihet në dispozicion kundërvajtësit nëpërmjet shërbimeve online në eAlbania, bën që të ketë një numër të lartë ankesash në këtë drejtim.
Elementët kryesorë që vërtetojnë kundërvajtjen janë: Data, Ora, Vendi. Ndërsa, fotografimi është prova që vërteton tre elementët që përcaktojnë kohën dhe vendin. Fotografimi nga radari, jep të dhëna mbi targën, orën, datën, shpejtësinë e matur, shpejtësia e korrigjuar, numrin serial të pajisjes, lloji i automjetit, indeksi i vendit, etj.
Por në modulin e regjistrimit të të dhënave nga Salla e Monitorimit “Gjobë nga SM”, për kundërvajtjet e pajisjeve inteligjente, nuk ruhej asnjë e dhënë e cila është gjeneruar prej fotografimit. Data dhe ora që plotësohen në sistem janë datë regjistrimi dhe orë regjistrimi, të cilat nuk tregojnë kohën e saktë që ka ndodhur kundërvajtja. Pronarët e mjeteve, kur informohen për gjobat nëpërmjet e-Albanias apo bankave te nivelit te dytë, informohen për kundërvajtjet të cilat nuk tregojnë kohën reale të shkeljes, çfarë sjell dhe një numër të lartë ankesash e shqyrtimesh të panevojshme.
Gjatë auditimit mbi ndërfaqen e ndërtuar në sistemin eGjoba për regjistrimin e të dhënave të gjeneruara nga radar, u konstatua se nuk ishin të dhënat parësore për datën dhe orën kur ka ndodhur kundërvajtja.
Po ashtu, gjatë auditimit mbi ndërfaqen e ndërtuar në sistemin eGjoba për regjistrimin e të dhënave të gjeneruara nga radari, u konstatua se nuk populloheshin të dhënat parësore për datën dhe orën kur ka ndodhur kundravajtja.
Nga auditimi u konstatua se njoftimi i shkelësit jo prezent për kundërvajtjen duhet të bëhet dhe me shkresë në adresën e tij bazuar në procedurën nr.1719, datë 20.11.2023.
Për të realizuar këtë detyrë, punonjësit e policisë që kanë konstatuar dhe regjistruar shkeljen në sistem, detyrohen t’i njoftojnë me shkresë shkelësit që nuk janë konstatuar prezentë.
Edhe, kjo procedurë rezulton se nuk bëhet për shkak, sipas policisë, të adresave të gabuara apo të paplota në sistemin e adresave, të dhëna këto që lexohen nga regjistri i adresave në Gjendjen Civile.
Larg qoftë, nëse të goditet ky sistem nga piratët informatikë, të dhënat humbin përgjithnjë. Për sistemin eGjoba nuk është hartuar dhe dokumentuar Strategjia e Backup e dedikuar dhe Strategjia e Rikuperimit e dedikuar me elementët që duhet të përfshihen sipas manualit të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Nga audituesit u konstatua se në dokumentet përgjatë periudhës së mirëmbajtjes në disa raste mungojnë e në disa të tjera janë nënshkruar në grup për 2 apo 3 muaj shërbime njëkohësisht, çfarë tregon për një vijimësi formale në ndjekjen e zbatimit të kontratës. Nuk janë raportuar problematika në lidhje me sistemin eGjoba duke lënë të kuptohet se nuk ka pasur asnjë shqetësime, megjithëse vetë agjentët e policisë u shprehën se deri në fund të vitit 2023 sistemi ka shfaqur probleme të vazhdueshme.
Nga kompanitë që fituan kontratën nuk është ndërtuar ndërveprim ndërmjet sistemit eGjoba dhe DPSHTRR, për periudhën e plotë që drejtuesi rezulton i pajisur me leje drejtimi, me qëllim përllogaritjen për zbritjen e pikëve në rast të një kundra vajtjeje. E dhëna që lexohet nëpërmjet web-servisit është data e lëshimit të leje drejtimit, ku në rastet kur ajo është e rinovuar, nuk tregon kohën e plotë që drejtuesi është pajisur me leje drejtimi.
Agjenti i policisë nuk ka një mënyrë se si të përllogarisë zbritjen e pikëve mbi një leje drejtimi në rast se diferenca ndërmjet datës së konstatimit me datën e lëshimit të lejes tregon se ai/ajo është një drejtues i ri ndërkohë që leja e drejtimit është e rinovuar.
Vetë punonjësit e policisë rrugore në terren u shprehen se kanë marrë vërejtje për vendosjen e masave plotësuese jo të sakta për këtë arsye: Pikët e zbritura nga patenta, për një kundërvajtje të caktuar nuk pasqyrohen saktë në sistemin eGjoba, ndryshe nga portali e_Albania, ku situata mbi pikët e zbritura dhe të shtuara duket e saktë. Kjo tregon se ndërveprimi ndërmjet DPSHTRR-së dhe sistemit eGjoba nuk është ndërtuar në mënyrën e duhur; Nuk lexohen elektronikisht të dhënat mbi kontrollin teknik. Ky verifikim aktualisht bëhet vetëm në prezencë të drejtuesit duke parë dhe verifikuar dokumentin fizik të lëshuar nga DPSHTRR; DPSHTRR dhe DPPSH nuk kanë aktualisht të ndërtuar një bashkëveprim me qëllim vjeljen e gjobave duke lexuar nga sistemi i eGjoba detyrimin e kundërvajtësit përpara kolaudimit.
Nga auditimi mbi funksionalitetet e sistemit eGjoba për kundërvajtjet e konstatuara në mjetet me targa të huaja, u konstatua se: Nuk hidhen në sistemin gjoba, në mënyrë që këto të dhëna të jenë të vlefshme për t’u ekspozuar në sistemin TIMS për kontrolle në pikat kufitare.
Përcjellja me rrugë shkresore për në pikat kufitare, tregon se lidhja ndërmjet sistemit TIMS dhe eGjoba nuk është bërë për njoftime automatike për këto raste të kundërvajtjeve nga mjete me targa të huaja, megjithëse të dy sistemet janë në përdorim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.