Qeveria i fal taksat për 10 vjet biznesmenit Armand Lilo që ndërtoi 8 kate pa leje në mes të Tiranës, shqiptari i thjesht “rripet” me tatim të dyfishtë
Klodian Tomorri
Kur Edi Rama gjoja kritikoi Erion Veliajn për katet pa leje që i kishin zënë sytë Bashkisë mu në qendër të Tiranës, fjala ishte kryesisht për kullën me kuba të shtrëmbër Eyes of Tirana. Kompania ndërtuese e kullës, Ideal Construction, që zotërohet nga biznesmeni Armand Lilo kishte ngritur disa kate në shkelje të lejes me siperfaqe mbi 4 mijë metër katrorë në më pak se 100 metër distancë nga zyra e kryetarit të Bashkisë.
Por zoti Rama nuk kishte asnjërën seriozisht. As kritikat ndaj kryebashkiut të tij, as zemërimin ndaj ndërtuesve për dhunimin urbanistik të kryeqytetit. Dhe kjo u faktua shumë shpejt, kur katet pa leje iu shitën sërish të njëjtëve ndërtues me çmime qesharake. Por favoret vazhdojnë.
Një ditë më parë qeveria miratoi, me propozimin e ministrisë së Turizmit, një vendim të posaçëm, i cili i heq taksat për 10 vjet kompanisë Klais shpk duke i dhënë asaj statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special”. Kompania, e cila zotërohet nga biznesmeni Armand Lilo do të ndërtojë një hotel në Palasë në bashkëpunim me grupin e njohur spanjoll Melia.
Bie skela te pallati i Armand Lilos në Tiranë, dy të plagosur
Dhënia e statusit të veçantë nënkupton se për 10 vjet hoteli do të jetë i përjashtuar nga tatim fitimi, taksat e pronës, ajo e ndikimit në infrastrukturë. Por mbi të gjitha ky status nënkupton se kompania do të paguajë vetëm 6 për qind tatim mbi vlerën e shtuar për çdo aktivitet në hotel duke përfshirë fjetjen, ushqimin dhe çdo shërbim që tarifohet.
Pra, në Shqipëri, ndërtimet pa leje mund të të çojnë pas hekurave. Por mund edhe të të përkëdhelin me dorën e ngrohtë të favoreve të qeverisë. Zoti Lilo me sa duket është me fat, pasi ka qëlluar në grupin e dytë.
Në fakt favoret fiskale të hoteleve burojnë nga ligji si incenetiva për zhvillimin e turizmit. Kushdo që investon më shumë se 15 milionë euro në ndërtim hoteli dhe plotëson kriteret e tjera mund të përfitojë statusin special dhe faljen e taksave. Por po ashtu nga ligji burojnë edhe masat ndëshkuese ku ndërton pa leje.
E ndërsa ligji tërhiqet si llastik për “crony biznesmenët” afër qeverisë, të njëjtin fat nuk e kanë ata që ndërtojnë gardhe dhe kotece pulash në fshatrat ku jetojnë. Aty ligji nuk bën kompromis. Por këto janë dëmet anësore të zhvillimit, edhe pse ndonjëherë duken të padrejta. Fjala vjen, ndërsa rrogëtarët dhe profesionistët e lirë futen në taksim të rëndë deri në 23 për qind të të ardhurave, qeveria lëshon favore me VKM të veçanta për “cronyistët” e saj. Në emër të zhvillimit. /Kapitali