E vetmja gjë që një shqiptar mesatar di me siguri nga familja mbretërore shqiptare është se Mbreti Zog, braktisi vendin duke e lënë atë pa një drejtues në momentin kur nisi lufta dhe e vodhi atë duke u larguar bashkë me një sasi të madhe të arit të shtetit.

Kjo e dëshmuar edhe nga arkivi i shtetit i cili ka publikuar pak kohë më parë edhe dëshminë rreth sasisë që Mbreti Zog mori para se të largohej nga Shqipëria.

Në prill të vitit 1939, kur Mbreti Zog u largua përmes kufirit me Greqinë, ai dhe shoqëruesit e tij kanë marrë me vete një sasi prej plot 250 napolonash apo monedhash ari. Dokumenti është nxjerrë nga fondi i Milicisë Fashiste, ku shkruhet se mbreti Zoga ka marrë 250 mijë napolona ar.

Në dokument është shkruar: Mbretit Zog, kontrolluar nga autoritetet greke, i janë gjetur 250.000 napolona ari.

Do të kalonin shumë vite, dhe shqiptarët do dëgjonin sërish për përrallat me mbret të Zogajve, në vitin 1997.

Në prill të këtij viti, teksa Shqipëria gjendej e zhytur në kaos për shkak të shembjes së firmave piramidale, Leka Zogu mbërriti në Tiranë.

Ai merr pjesë në fushatën elektorale për zgjedhjen e formës së regjimit nëse Shqipëria duhet të ishte Monarki apo Republikë.

Në këto zgjedhje monarkia humbi, gjë që nuk u pranua nga Leka Zogu duke e quajtur rezultatin si të manipuluar nga KQZ-ja.

Nisur nga kjo, tri ditë pas zgjedhjeve, Partia e Legalitetit e Zogut, organizoi një miting-protestë, ku simpatizantët e saj, bashkë me Leka Zogun, marshuan drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku pati edhe konfrontime me Policinë.

Vet Leka Zogu doli i armatosur qendrës së Tiranës dhe në uniformë ushtarake.

Do të ishte ardhja e nipit të Ahmetit, Lekës, që do të zbuste pak profilin tradhtar por jo atë qesharak që familja mbretërore kishte mbajtur deri në këto momente. Me të ardhur në atdhe, princi bëhet këshilltar i presidentit Bujar Nishani. Absurde për këdo, por jo për familjen mbretërore.

Por historia e dashurisë dhe më pas martesa me vajzën e një prej aktoreve më të dashura në vend, zbutën edhe më tej opinionin publik për princin.

Por duket se ky kostum nuk i qëndron mirë as nipit të familjes. Pak vite më vonë, opinioni publik “tronditet” kur mëson se princi dhe princesha janë drejt divorcit dhe ndërkohë princi ka filluar një lidhje dashurie me fotografen e tij personale.

Por përralla me princër e princesha mesa duket është drejt fundit, teksa dje në media u bë publike një video e dhunës në oborrin mbretëror. Princi akuzoi vjehrrin se i ka grisur xhupin dhe princesha akuzoi princin se i ka rrahur babanë 70 vjeçar…