Gjuetarët kanë rregulla të reja, të cilat duhet që t’i përmbahen. Sipas një projektligji të ri, i cili është nxjerrë për diskutim, gjuetia do të jetë e kufizuar në zona të caktuara që do të jenë me qera, por duhet që të “operojnë” në terren vetëm shtetasit shqiptarë dhe persona të autorizuar që janë provuar si ‘ekspertë’ të kësaj fushë. Këto janë kriteret e reja të përcaktuara në projektligjin e hedhur në konsultim Publik nga Ministria e Mjedisit, rreth 9 muaj para skadimit të afatit të moratoriumit të gjuetisë.

Sezoni i gjuetisë

Sipas projektligjit, gjuetia ushtrohet vetëm brenda sezonit të hapur për gjueti duke respektuar periudhën e riprodhimit derisa të vegjëlit të ndahen nga nëna, dhe të folezimit derisa të vegjlit të mësojnë të fluturojnë. Lajmërimi për hapjen e sezonit do të bëhet për çdo vit nga Ministria. Po ashtu do të mësohet edhe kohëzgjatja. Sipas ligjit të ri, fita e gjuetisë fillon pas lindjes së diellit dhe përfundon me perëndimin e tij.

Gjuetari

Sa i përket “qitësit”, ai duhet të jetë shtetas shqiptar, mbi 25 vjeç dhe i pajisur me leje për të ushtruar sportin, në të kundërt do të dënohet sipas Kodit Penal të vendit. Ndërsa aspirantët, ata që synojnë të ushtrojnë gjuetinë, do të duhet që t’i nënshtrohen testimit dhe më pas mund të marrin leje për të dalë në terren.

Gjuetar është personi fizik që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë mbushur moshën 25 vjeç;
c) të jetë i pajisur meleje për armë gjuetie;
ç) të ketëfituar testin për çështjet teorike dhe praktike sipas parashikimeve në nenin
38 të këtij ligji që lidhen me veprimtarinë e gjuetisë;
d) është pajisur me leje gjuetie;
dh) njeh dhe respekton manualin e gjuetarit;
e) merr pjesë në monitorimin dhe inventarizimin e faunës së egër të zonës së tij;
e) është i padënuar për asnjë vepër penale e cila cënon jetën dhe shëndetin e njeriut.

Zonat e lejuara për gjueti

Zonat që lejohen që të ushtrohet sporti i gjuetisë përfshijnë fondin pyjor dhe kullosor jashtë territorit të zonave të mbrojtura, tokat bujqësore, sipërfaqet ujore të brendshme, toka të pafrytshme, të populluara me lloje të faunës së egër,  por që edhe ato të jenë objekt gjuetie.

Kriteret për krijimin e zonave të lejuara për gjueti

Për krijimin e zonave të lejuara për gjueti mbahen parasysh këto kritere:

a) zona e gjuetisë krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha;
b) zona të mos përfshijë vendbanime dhe qendra ekonomike, tregtare, arsimore, sportive e fetare dhe të ndodhet jo më pak se 300 metra larg prej tyre;
c) zona të jetë në vende, ku ushtrimi i gjuetisë nuk mbart rrezik për jetën, shëndetin dhe pronën e njerëzve;
ç) zona të jetë e populluar me llojet e faunës së egër, objekt gjuetie, që jetojnë natyrshëm apo që kultivohen në të;
d) zona të ketë kufij me vijimësi territoriale dhe në përputhje me relievin;

dh) numri i individëve të llojeve, që mund të jetojnë e kultivohen në atë sipërfaqe, të mundësojë gjuajtjen e tyre të programuar.

Vendet ku ndalohet që të gjuhet janë zonat e mbrojtura; kullotat dhe livadhet në fazën e korrjes; vreshtat e mbjella rishtazi; sipërfaqet e mbjella me drithëra, nga 1 prilli deri në përfundimin e korrjes së tyre; parcelat eksperimentale; zonat e shpallura si zona me rëndësi të veçantë për shpendët; etj. Zonat e lejuara do të jepen me qira tek persona fizik ose biznese, përmes një konkurrimi publik, dhe afati i kontratës do të jetë 10 vite. Qiraja e zonës do të jetë sa 50% e vlerës së gjuetisë vjetore të kafshëve të egra e llogaritur sipas çmimeve të tregut. Për zonën do të caktohet një çmim tavan.

“Këto zona do të jenë jashtë territorit të mbrojtur, nuk do të jenë më të vogla se 500 hektarë, ndërsa zonat për kultivimin e llojeve të faunës së egër objekt gjuetie, sipërfaqe jo më pak se 50 hektarë. Ato do të jenë 300 metra larg zonave të banuara, qendrave ekonomike, arsimore, sportive e fetare,”-shkruhet në projektligj.

Sigurisht që për këto raste, do ndalohet gjuetia e llojeve të faunës së egër që mbrohen nga konventat ndërkombëtare, parashikohet edhe “vrasja emergjente”, e cila vlerësohet e ligjshme nëse ndodh si në kriteret e mëposhtme.

1. Vrasja emergjente kryhet në rastet kur:

a) kafsha e egër kërcënon dëmtimin e shpejtë dhe të rëndë të jetës së njerëzve. Në këtë rast, vrasja i njoftohet menjëherë njësisë përgjegjëse për gjuetinë pranë njësisë së qeverisjes vendore- përkatëse dhe strukturës përgjegjëse për inspektimin në fushën e gjuetisë.
b) kafshët bëhen vektor për sëmundje të transmetueshme, zoonoza, për të parandaluar rrezikun e transmetimit të sëmundjes tek njerëzit. Vrasja emergjente realizohet në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse për veterinarinë, dhe autorizohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për veterinarinë dhe ministrit përgjegjës për gjuetinë.

Trofetë e gjuetisë në fund do të vlerësohen nga komisioni i vlerësimit të trofeve, që krijohet me urdhër të ministrit të linjës. Komisioni i vlerësimit të trofeve përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët propozohen nga shoqata e gjuetarëve, fakultetet e biologjisë të universiteteve shtetërore dhe nga ministria. Për çdo kërkesë të vlerësimit të trofeve të gjuetisë, kërkuesi paguan një tarifë prej 5 000 lekësh. /gazetajone