Një 20-vjeçar në Tropojë ka humbur jetën, pasi është qëlluar aksidentalisht sipas policisë nga një person gjatë gjuetisë.

“Mesditën e sotme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë marrë informacion se në fshatin Kepenek, kishte humbur jetën shtetasi E. H., 20 vjeç, banues në Tropojë, si pasojë e plagëve të shkaktuara nga armë zjarri”.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në fshatin Kepenek. Autori i vrasjes është identifikuar si 38-vjeçari me inicialet G.N., i cili është arrestuar nga policia.

“Në drejtim të vendit të ngjarjes shkuan shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Nga veprimet e shpejta hetimore rezultoi se shtetasi G. N., gjatë gjuetisë, dyshohet se aksidentalisht ka qëlluar me armë zjarri, shtetasin E. H., i cili për shkak të dëmtimeve ka humbur jetën, në një sipërfaqe pyjore, në vendin e quajtur “Përroi i Kepenekut”. Gjatë kontrollit në zonë është gjetur dhe është sekuestruar 1 armë zjarri pushkë gjysmë automatike dhe municion luftarak. Shërbimet e Policisë shoqëruan në Komisariat, për veprime të mëtejshme, shtetasin G. N., 38 vjeç, banues në fshatin Viçidol, Tropojë dhe në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi i tij.”

Sakaq nga Prokuroria po vijon puna për dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.