Edhe ata që nuk e duan Edi Ramën me siguri që kanë ndierë keqardhje për të, pas asaj që panë të dielën në mbrëmje. Në një intervistë ishin mbledhur të gjitha: tentativa e shkuar dëm për ta përqafuar dhe joshur një gazetar që e pati akuzuar si shpifës, pastaj kafja e refuzuar prej tij, më pas përcjelljet e mundimshme të pështymës kur kërkonte alibi bindëse ndaj fakteve kokëforta, me të cilat e përballi Giorgio Mottola. Padyshim që shfaqja në Report, të RAI 3, është një nga paraqitjet më të mjeruehme televizive të një kryeministri që mardhënien me median nuk e ka pikën e tij më të dobët.
Edi Rama nuk gjeti dot asnjë justifikim bindës ndaj akuzave të rënda të Arben Ahmetajt, një prej njerëzve të tij më të afërt, të cilit i dha poste të larta në qeveri gjatë një dekade. Ai u shfaq gati qesharak, me alibitë për takimin në zyrën e tij, me një të dyshuar si pastrues të parave të kartelit të Sinaloas. Ai dredhoi shëmtuar kur gazetari e pyeti nëse Ergys Agasi është pikëlidhja e tij me botën kriminale. Ai bëri gafë kur tentoi, që për të mbrojtur Engjëllin që mban në paradhomë, përfundoi duke amnistuar Artur Shehun.
Ishte e vajtueshme të shihje shefin e qeverisë, tek rekej të argumentonte se kullat e Tiranës nuk po ndërtohen me paratë e krimit, përballë llogarisë me shifra zyrtare që kishte nxjerrë investigimi i Rai 3. Po ashtu, nuk ishte aspak efikase përpjekja për tu fshehur pas Melonit, sepse bashkëbiseduesi i tij ia përplasi në fytyrë: nëse kryeministrja e Italisë takohet me njerëzit e karteleve meksikane, unë do ti bëja të njëjtat pyetje.
Në këtë emision, që i ka nxjerrë si karagjozë shume nga intervistuesit shqiptarë të Ramës, për gjatë një ore, ne pamë radiografinë e një narko shteti dhe fytyrën e vërtetë të atij që i prin. Por sa do të rënda të qenë denoncimet e ish zv/kryeministrit, sado denoncuese lidhjet e njerëzve të afërt të tij me krimin, sado të thelluara rrënjët që të shpinin në zemër të së keqes, ato nuk përbënin anën më interesante të asaj që shpërfaqi Report.
Ka një pjesë të errët tek e cila mediat tona po ndalen shumë pak. Ajo nuk ka të bëjë me profinin e një qeverisjeje të kriminalizuar, por me mënyrën se si ajo bën makizzh për të fshehur fytyrën e vërtetë. Andej nga fundi i emisionit, personazhe të tij u bënë edhe ish kryeministri italian D’Alema dhe ministri aktual i “Made in Italy”, Adolfo Urso. Ajo që e bashkonte këtë lider historik të post komunistëve italianë me eksponentin e sotëm të qeverisë të së djathtës qe vetëm një. Ata kanë hapur filiale të kompanive të tyre të lobimit në Tiranë. Pse? Sepse ndoshta këtu ka më tepër para që fitohen lehtë, sesa në bregun përballë të Adriaktikut. Dhe kjo është me sa duket arsyeja që Massimo D’Alema është parë shpesh në TV e vendit të vet duke mburur Edi Ramën. Të njëjtat arsye mund ta kene shtyrë Usrson të tradhëtonte partnerin e dikurshëm Becchetti, për tu lidhur me shefin tonë të qeverisë.
Historia përsëritet njësoj si në rastin McGonigal. Ashtu si Toni Bler, që “punon falas”, ndërkohë që studioja avokatore e bashkëshortes së tij paguhet nga qeveria shqiptare, edhe në Itali do ketë mbërritur fjala se në narkoshtetin e rilindjes është bërë deti kos.
Ky është në fakt një nga konkluzionet më të rëndësishme të investigimit të RAI 3, ekzistenca e një rrjeti ndërkombëtar që merret me kurimin e imazhit të një çete banditësh në Tiranë. Ne i dimë bëmat e saj dhe pjesa dërrmuese e gjërave që u thanë në emision i kishim të dëgjuara. Por ajo që shumë shqiptarë pyesin me habi është se si ka mundësi që kjo kleptokraci ka mbështetje të fortë perendimore. Report na e dha një pjesë të përgjigjes. Ajo nuk gjendet vetëm në qokat personale, si ato të kampeve të refugjatëve që Rama bëri për Melonin. Ajo duhet kërkuar në shndërrimin e vendit në një minierë ari, për ndërkombëtarët që pastrojnë imazhin e tij në perëndim. Një pjesë e parave të trafiqeve dhe korrupsionit tonë po majmin ish qeveritarë dhe politikanë që shpërblehen për të bërë propagandë në Evropë, ndonës jehona e fjalëve të tyre të peshuara me ar, zhurmon dhe në mjedisin tonë.