“Blindimi” i dyerve të godinës së Kryeministrisë tashmë është kthyer në një ritual që bëhet para çdo proteste të organizuar nga opozita.

Pasditen e sotme, janë fotografuar punëtorë të cilët kanë blinduar Kryeministrinë me veshje metalike, për të shmangur futjen e protestuesve brenda saj në rast se do të ketë trazira.

Protesta e opozitës e thirrur nga kreu i PD-së Sali Berisha do mbahet ditën e nesërme në orën 12:00. Protestuesit do të mblidhen në selinë e PD-së, më pas në sheshin “Skënderbej”, në sheshin “Nënë Tereza”, pastaj për të vijuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Në një deklaratë për mediat ditën e sotme, kreu i PD, Sali Berisha paralajmëroi policinë që të mbajë qëndrim korrekt me protestuesit, pasi sipas tij për çdo person të lënduar do të mbahet përgjegjësi edhe pas 30 vjetësh.

Në kuadër të protestës janë angazhuar rreth 1500 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës. Si në çdo protestë, mësohet se do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.