Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me Drejtuesit e Lartë të Policisë së Shtetit ka theksuar se uniformat blu kanë ende shumë për të përmirësuar.
Ndërkohë Rama ka përmendur edhe emrin e Ervis Martinajt, për të cilën ai ka fajësuar Policinë e Shtetit që ende nuk ka dhënë një përgjigje nëse është vrarë apo jeton.
“Në vitin 2012 janë vrarë 125 njerëz dhe krahasimisht gjatë këtyre viteve shifra e vrasjeve është përgjysmuar. Nëse vjet kishim 38 vrasje, sivjet kishim vetëm 30. KY ishte viti me numrin më të ulët të vrasjeve në 30 vjet, ky është fakt. Kjo nuk do të thotë se vrasjet nuk janë problem, madje janë problem serioz, sidomos kur bëhet fjalë për ngrënien e kokave të llumit të shoqërisë. Po të shohësh tabelën e të dhënave Shqipëria është ngjitur drejt mesatares së të dhënave Europiane, dhe disa nga vendet e BE kanë më shumë vrasje, ndërkohë që disa nga vendet e rajonit kanë më pak se ne. Gushti që na solli dhe këtu ku jemi sot ishte një befasi alarmuese. Një situatë e rënduar jo vetëm me vrasjet, por edhe me disa shenja të tjera shqetësuese, pavarësisht se me vitet e mëparshme në aspektin statistikore ky vazhdon të jetë viti me vrasjet me të ulët, por kjo nuk e ndryshon faktin se gjithçka që ka ndodhur këtë gusht duhet të shërbejë si shuplakë dhe për të arritur objektivat për Policinë e Shtetit.
Është e papranueshme që me javë të tëra mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve, ekran me ekran dhe faqe me faqe janë bërë si Big Brother i kronikës së zezë, jo u vra jo nuk u vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit lloj lloj legjendash me luanë me bamirësa, me oligarkë, shto ujë e shto miell si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar.
Dhe Policia e Shtetit nuk do ta thotë ore u vra apo nuk u vra. Kush e ka penguar ta thotë. Drejtori i ri i policisë së shtetit që merr sot detyrën duhet të sigurohet që kjo dilemë të marrë fund sa më parë, nëse i kërkuari është vrarë ti thuhet publikut që është vrarë, nëse nuk është vrarë të kapet dhe ti jepet drejtësisë”, u shpreh Rama.