
Burgosja e Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ka sjellë ndryshimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave të vendimit 784. Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka ndryshuar VKM-në që i merrte kompetencat bashkive të Tiranës, Vorës, Kamzës dhe Shijakut për çdo leje ndërtimi.
Por, më shumë sesa bashkitë periferike, vëmendja e Ballukut ka qenë marrja në dorë e lejeve në një distancë ajrore prej 15 kilometrash nga Aeroporti i Tiranës. Vendimi atëhershëm i jepte Ballukut apo vartësve të saj në Aviacionin Civil që të kontrollonin çdo leje ndërtimi në Tiranë.
Kursi i saj ndryshoi menjëherë pas arrestimit të Veliajt, pasi me propozim dhe miratim të saj, ajo rimodeloi VKM-në. Në datën 19 shkurt 2025, Këshilli i Ministrave mori vendim për “disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.784, datë 18 dhjetor 2024, ‘për përcaktimin e rregullave për zhvillimin e zonave aeroportuale’”.

Sipas qeverisë, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi se pika 2 e VKM-së ndryshohet se “zona e mbrojtur e aeroportit ndahet në nënzona, ku zona ‘A’ është zona e cila shtrihet në një rreze prej 2 kilometrash nga pika e referimit të aeroportit.
Zona ‘B’ është zona e cila shtrihet në një rreze prej 2 kilometrash nga përfundimi i zonës ‘A’ dhe zona ‘C’ është zona e cila shtrihet në një rreze prej 11 kilometrash nga përfundimi i zonës ‘B’”.
Leja për zhvillim apo ndërtim në zonën “A” dhe “B” merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, kur ndërtimet janë mbi 15 metra lartësi nga toka.
Ndërkohë, në zonën “C”, KKTU-ja dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas rastit, për çdo objekt apo strukturë të planifikuar për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura “A” dhe “B” të aeroportit, përpara dhënies së lejes duhet që të marrin miratimin nga AAC-ja. Në zonën “C”, miratimi nga AAC-ja jepet vetëm për objektet që janë 30 metra lartësi nga toka ose më shumë, për të cilat leja jepet nga KKTU-ja, sipas pikës 6/2, të këtij vendimi. Miratimi i AAC-së jepet vetëm për zhvillimin apo ndërtimin e objekteve që sjellin pengesa për operimet ajrore.
Me pak fjalë, në një rreze prej 4 kilometrash larg aeroportit, lejohet të ndërtosh deri në 15 metra edhe me leje bashkie, por duhet të njoftohet Aviacioni Civil. Për ndërtimet më të larta vendos KKTU-ja dhe duhet të marrësh leje te Autoriteti Aviacionit Civil.
Ndërkohë, në zonën C, që është deri në 15 kilometra larg aeroporteve, bashkitë japin leje deri në 30 metra. Mbi këtë lartësi duhet të marrësh leje te KKTU-ja dhe duhet njoftuar Aviacioni Civil.
Në janar 2025, VoxNews denoncoi se qytetarët që duhet të bënin një shtëpi të vogël, në një rreze prej 15 kilometrash larg aerporteve, duhet të merrnin leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, madje duke kaluar edhe në Aviacionin Civil. Nisma e atëhershme ishte kapja e bashkive nga Balluku.
Në atë kohë, në redaksinë e VoxNews u ankua Rakipi* nga Marqineti i Vorës, i cili do të ndërtonte një shtëpi, rreth 80 metra katrorë në pronë të vet. Ai u dërgoi në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit, një institucion në varësi direkt nga kryeministri Rama. Pra, për të marrë lejen e ndërtimit duhet të firmosë Rama! Aq i rëndësishëm është Rakipi, njësoj si oligarkët?
“Si rasti apo veprimet e Rakipit, janë të gjithë banorët e Vorës, Kamzës, 2/3 të Tiranës, një pjesë të Shijakut dhe disa fshatrave të Durrësit. Të gjithë këta banorë, që në shifra arrijnë te 1 milionëshi, duhet të marrin leje për ndërtimin e banesave nga KKTU-ja, kjo si pasojë e një VKM-je të firmosur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në fund të vitit 2024”, denoncoi VoxNews.
“Zona e mbrojtur e aeroportit, në kuptim të këtij vendimi, nënkupton zonën territoriale, e cila shtrihet në një rreze prej 15 km nga pika e referimit të aeroportit”, thuhej në VKM. E thënë më thjeshtë; në një rreze prej 15 kilometrash në vijë ajrore me Areoportin e Rinasit mund të ndërtoje vetëm me leje të KKTU-së dhe jo më të bashkive respektive!
“Pra, një institucion me varësi direkte nga qeveria me vetëm 30 punonjës, ku shumica janë drejtorë dhe përgjegjës, duhet të shqyrtojë çdo leje të dhëna nga këto bashki. Madje, këta punonjës duhet që të analizojnë çdo kërkesë nga territori që përfshin pothuajse 1 milionë banorë. Por, ajo që bie në sy është kontrolli i plotë i zv.kryeministres Belinda Balluku në lejet e ndërtimit, duke “shfuqizuar” në këtë rast çdo bashkiak”, denonconte redaksia jonë.
Në atë kohë, VoxNews siguroi edhe hartën, e cila përfshin edhe lejet në Kukës dhe Vlorë, ku ka edhe aeroporte. Por, synimi është padyshim Tirana, duke “zhveshur” nga pushteti kreun e Bashkisë së Tiranës, apo atë të Kamzës, Vorës dhe pjesërisht Shijakun. Durrësi kishte vetëm disa fshatra të përfshira, si Manëz, Sukth e Ishëm. /voxnews