Kryeministri Edi Rama ka postuar dokumentat që sipas tij, janë shkaku i sulmit nga media “Top Channel” ndaj qeverisë. Duke nxjerrë një dokument që nuk dihet se nga e ka origjinën, kryeministri Edi Rama pretendon se është kërkuar mbështetje financiare nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural një fond prej 120 milionë lekësh të vjetra për të bërë një emision me 50 episode, në vëmendje të të cilit do të jenë zonat rurale dhe fermat.

DETAJE NGA KONTRATA E DËRGUAR NË AZHBR:

Shtrirja gjeografike e realizimit: Në të gjithë Shqipërinë, zonat rurale dhe fermat bio.
Partneriteti mediatikTop Media Group
Periudha e realizimit: Mars 2022-Dhjetor 2022
Episode televizive: 50
Kohëzgjatja televizive: Minutazhi 35 minuta
Çfarë i kërkohet AZHBR: Kërkojmë mbështetje financiare për realizimin e projektit në Vlorë 12.000.000 lekë

Krahas dokumentit të nxjerrë në postimin e tij, kryeministri nuk e ka lënë pa një koment, duke u shprehur se ky është vetëm një shembull sesi, sipas tij po i bëhet shantazh qeverisë nga media. Qëllimi, sipas tij, ka qenë promovimi i AZHBR-së, por kur ky insitutcion nuk ka pranuar, ka filluar sulmi duke nxjerrë edhe shembullin e një kronikë të transmetuar në edicionin e lajmeve.

Edi Rama: Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik.Kërkohen 120mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiparëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale. AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj! Atëherë pllaka kthehet përmbys dhe dynjasë i jepet një emision i tërë me gllabërim parash të bujqësisë, një fabrikim nga fillimi në fund me gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, e ngjashme si dy pika uji me një fabrikim nga i njëjti kanal për Rilindjen Urbane…

Prej ditësh, por duke kulmuar dje, Rama është kthyer në një ‘redaktor’ të kronikave të TopChannel dhe të News24. Vetë është marrë për të analizuar kronikat që kritikonin punët e kreut të qeverisë. Të gjitha kronikat, kryeministri Rama i ka ‘skanuar’ dhe i konsideron ‘gjoba’.