-640-0-1742544558-edirama-1-1742548869

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partia Socialiste ndjen dhimbje personale për Erion Veliajn, por theksoi se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Gjatë një takimi me kandidatët e qarkut të Durrësit për zgjedhjet e 11 majit, ai vuri në dukje se ishte PS ajo që hapi rrugën për reformën në drejtësi.

“Ne duhet të jemi krenarë, jo kokulur, për faktin, që përtej dhimbjes personale për arsye njerëzore se nuk na vjen mirë të shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh, ndërsa sot është në duart e drejtësisë. Por ama nuk ndodhte kjo kurrë nëse nuk do e kishim hapur ne këtë kapak. Këtu u vranë 4 veta mes bulevardit dhe s’u pyet njeri. U refuzua zbatimi i urdhrave të prokurorit. E kupton ku kemi qenë.”

Rama akuzoi opozitën se synon të dëmtojë SPAK-un, duke përmendur qëndrimet e saj për drejtësinë. “E kemi bërë ne. Si qenka kjo. E kemi bërë ne dhe nuk e bën dot askush tjetër. Ata e thonë copë, më 12 maj do shkrijmë SPAK”, tha ai.

Kryeministri gjithashtu ritheksoi se integrimi në BE është i domosdoshëm për të garantuar barazinë para ligjit. “Ne jemi për reformën në drejtësi, pavarësisht problematikave dhe lajthitjeve të herëpashershme, por ne e kemi të ndarë këtë punë që ia kemi dhënë këtë shpatën që në histori e ka pas drejtësia, por në Shqipëri që nga 1912 e ka pasur qeveria”, u shpreh ai. /gazetajone