Kontrolli i Lartë i Shtetit auditoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për periudhën nga data 01.04.2021 deri në 31.12.2022, periudhë që përkon me kohën që këtë institucion e ka drejtuar Ogerta Manastirliu, që tashmë prej më shumë se një muaji është në krye të ministrisë së Arsimit.

Shkeljet që ka konstatuar raporti janë të shumta, nga tenderat, tek gjyqet e humbura, manovrat e dyshimta, dietat edhe deri tek biletat për udhëtimet jashtë vendit në aktivitete të ndryshme.

Raporti është i mbushur plot me shkelje, por gazeta po publikon për momentin vetëm tre prej tyre.

Rasti i parë lidhet me tenderat e ilaçeve. Është audituar procedura e prokurimit me objekt “B1-Blerje barna Anti-infektive të përgjithshëm, Anestezi Reanimacion, Psikiatria, Sistemi kardiovaskular, Sistemi muskolo-skeletik, Sistemi nervor dhe Sistemi Respirator, Gjaku dhe organet formuese të gjakut”.

Në këtë tender me disa lote janë konstatuar shkelje të shumta. Në një rast është skualifikuar oferta më e ulët me pretendimin se nuk paraqiti dokumentacion provues që bari i ofertuar është i regjistruar, por procesverbali i vlerësimit nuk korrespondon me njoftimin e fituesit, pasi citohet që skualifikimi është për afatin e sigurimit të ofertës.

Në lotin tjetër një tjetër operator është shpallur fitues pa plotësuar kriterin që bari i ofertuar të jetë i regjistruar në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Gjithashtu edhe në lotin tjetër në vijim për këtë tender është shpallur fituesi pa plotësuar kriterin që bari i ofertuar të jetë i regjistruar në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Për biletat e avionëve, KLSH thotë se ka konstatuar keqmenaxhim. “Blerja e biletave është realizuar në kufijtë e datës së nisjes megjithëse ftesa për pjesëmarrje nga organizatorët e takimit/ aktivitetit është dërguar disa javë para kryerjes së procedurave të prokurimit dhe blerjes së biletave. Kjo ka ardhur si pasojë e miratimit me vonesë të autorizimeve, mbi pjesëmarrjen e përfaqësuesve të MSHMS në këto aktivitete. Një fenomen i tillë sjell si pasojë riskun e blerjes së biletave me çmim më të lartë, kur prokurohet pak ditë para datës së nisjes, krahasuar me çmimet e tregut” thotë KLSH.

Në këtë pikë është evidentuar edhe abuzimi me dietat. KLSH thotë se për disa raste ka konstatuar se dieta është dhënë pa pasur ftesën që zyrtari kishte marrë në aktivitetin që kishte qenë jashtë shtetit.

Në të gjithë urdhër shpenzimet e përzgjedhura për blerjen e biletave të transportit ajror ndërkombëtar, si dhe në disa urdhër-pagesa të shërbimeve-dieta jashtë vendit të punonjësve, të likuiduara nëpërmjet arkës u konstatua mungesa e ftesës së vendit pritës dhe draft agjenda e punimeve. Me anë të këtyre dokumente, vërtetohet qëllimi dhe objekti i shërbimit si dhe pjesa e shpenzimeve që do të mbulojë organizatori dhe pjesa që do të mbulojë buxheti i shtetit” thotë raporti.