“Kontratës së Rrugës Arbrit, nuk i është shtuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, vazhdojmë, sot dhe  kësaj dite dhe operojmë me të njëjtën sasi parash siç është nënshkruar kontrata”, kjo është deklarata e zv. kryeministres, Belinda Balluku në 2 Gusht 2022.

Zv.kryeimistrja Balluku premtoi se nuk do të rriten shpenzimet për buxhetin e shtetit për Rrugën e Arbrit edhe pse tuneli do jetë më i gjatë dhe se do ketë zgjatim rrugësh. Por pas këtij premtimi, çdo ekspert i ekonomisë ishte përballë një pyetje: Si është e mundur që nuk do të paguajmë kosto shtesë për rrugën, kur kompanisë private do t’i zgjaten afatet dhe kur gjatësia e tunelit nuk do të jetë e njëjta me projektin e miratuar??!

Sipas inxhinierit Spartak Tarka: “Sa më shumë të shtyhet projekti i përfundimit të një rrugë, aq më shumë, aq më e vështirë bëhet edhe përfundimi saj, pasi dalin probleme  nga më të ndryshmet, të karakterit gjeologjik, shto këtu edhe kushtet natyrore që i nënshtrohet gjurma e rrugës.”

Ku evidentohen shkeljet e Belinda Ballukut?

“Vetting” sjell në këtë episod, disa të vërteta të fshehura nga numri dy i qeverisë, njëherësh ministrja e linjës, të cilat lidhen me aferat me Rrugën e Arbrit, të fshehta që kanë sjellë kosto shtesë edhe për kohëzgjatjen e punimeve edhe për buxhetin e shtetit- shtesa dhe buxhete të miratuara nga vetë zv.kryeministrja Balluku. Një projekt i pambarueshëm që i përket edhe zonës së patronazhit të vet politik dhe elektoral.

Në qendër të këtij zbulimi është gropa financiare e shkaktuar prej këtij projekti, por gjenden edhe kompani, të cilat në konflikt të mundshëm interesi, kanë përfituar tendera nga Ministria e Infrastrukturës, për supervizimin e koncesionit të Rrugës së Arbrit.

Rruga ngjitëse e karrierës së Ballukut deri te numri 2 i qeverisë dhe hijet financiare rreth saj

Në vitin 2004, Belinda Balluku do t’i bashkohej stafit të Bashkisë së Tiranës, me Edi Ramën si kryebashkiak, në rolin e këshilltares për Marrëdhëniet me Publikun. Me ardhjen e kryeministrit Edi Rama në pushtet, nga shtatori 2013 deri në dhjetor 2018, Belinda Balluku do të mbante postin e Drejtores së Përgjithshme të ALBCONTROL-it.

Në 17 janar 2019, pushteti politik i Ballukut do të rritej në mënyrë eksponenciale, duke u emëruar Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në Prill 2021, ajo do të fitonte mandatin si deputete e Partisë Socialiste.

Pushteti i ministres do të kulmonte në fillim të gushtit 2022, kur kryeministri Edi Rama do ta propozonte si zv. kryeministre, duke marrë nën zotërim edhe Ministrinë e Rindërtimit që drejtohej nga parardhësi i saj, tashmë në kërkim, Arben Ahmetaj.

Gjatë kohës që ka qenë në Ministrinë e Infrastrukturës, Balluku do të firmoste disa nga koncesionet dhe projektet më të rëndësishme të qeverisë. Ajo do të monitoronte dhe do të kryente pagesat për kontratat e inceneratorëve, të cilat vazhdojnë të rezultojnë një nga aferat më të mëdha me abuzimin e fondeve publike.

Por disa prej projekteve të miratuara nga ministrja Balluku kanë qenë në qendër të akuzave nga opozita shqiptare si afera korruptive, si rasti i Portit të Durrësit. Koncesionet e firmosura  nga vetë Balluku  kanë marrë vëmendje prej kostove të shtuara dhe zgjatjen ciklike të afateve për punimet e Rrugës së Arbrit.

Sakaq në qendër të hetimeve nga SPAK është edhe një nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, kreu i ARRSH-së Evis Berberi, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion dhe pastrim parash.

Edhe pse janë shkelur afatet për rrugët, janë rritur kostot për shumicën e këtyre projekteve, numri dy i qeverisë, Belinda Balluku e cila de facto është vendimmarrëse, ka qenë jashtë vëmendjes së denoncimit publik. Për arsye të pashpjeguara opozita e copëzuar politike e vendit ka qenë e përçarë edhe në qëndrimet ndaj dëmeve në buxhetin e shtetit nga ministria që drejton zonja Balluku.

Konkretisht si Rithemelimi, por edhe Partia e Lirisë, nuk kanë ngritur zërin për kostot e pafundme të rrugëve, nuk kanë kërkuar qoftë edhe një interpelancë me këtë ministre. Ndërkohë që bëmat financiare për rrugët e pambaruara shënojnë shifra rekord në historinë e buxhetimit publik për gjithë dekadat e pas viteve 1990.

E vetmja pasqyrë që nxjerr fytyrën abuzuese, është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet e KLSH-së, të lëna jashtë vëmendjes së institucioneve apo edhe mediave, zbulojnë arsyet e kësaj heshtjeje. Aty zbulohet se zv.kryeministrja Balluku ka toleruar zbatimin e koncesionit/PPP të hekurudhës  për linjat Fier – Ballsh dhe Fier – Vlorë.

Kontrata koncesionare “Për dhënien me konçesion të rehabilitimit, operimit dhe transferimit të rrjetit të transportit hekurudhor në linjat Fier – Ballsh dhe Fier – Vlorë” është fituar nga bashkimi i kompanive “ALB-STAR” sh.p.k & “MATRIX KONSTRUKSION” në shtator 2015, të cilat për zbatimin e këtij projekti do të bashkëthemelonin koncesionarin “ALBRAIL”.

Në shkurt 2016, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës do të lidhte kontratën me kompaninë “ALBRAIL”. Por lidhja e kësaj kontrate ka një prapaskenë, pasi njëri nga aksionerët e kësaj kompanie, A. L, rezulton i biri i ish deputetes dhe zv.kryetares  së Kuvendit të Shqipërisë në momentin e lidhjes së kontratës.

Ky rast ngre dyshime të forta për konflikt interesi dhe kontrata është firmosur nga ish ministri Edmond Haxhinasto, bashkëthemelues i ish Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, ku është zv.kryetar i saj.

KLSH argumenton se Ministria e Infrastrukturës, në kohën që drejtohet nga Balluku, nuk ka dërguar në Ministrinë e Financave pasqyrat financiare vjetore të vitit paraardhës për aktivitetin e koncesionarit. Gjithashtu audituesit konfirmojnë se nuk ka patur raportime për ecurinë e zbatimit të kësaj kontrate, duke qenë në kundërshtim me përcaktimet në Udhëzimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr.35, datë 12.12.2019.

Historia e koncesionit

Përtej dritëhijeve për realizimin e punimeve, vetë ideja për projektimin dhe nisjen e garës për projektin e “Dhënie me Koncesion/PPP i ” Përmirësimit, Ndërtimit, Operimit dhe Mirëmbajtjes së Rrugës së Arbrit” ka prapaskena të tjera.

Ndërtimi i aksit me gjatësi 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet kontratës koncesionare me kompaninë ‘Gjoka Konstruksion’, filloi në vitin 2018. Ky projekt parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një rrugë me gjashtë tunele dhe dy ura të larta.

Më 12 Prill 2017, Qeveria Shqiptare do të miratonte një bonus prej 10 pikësh për kompaninë “Gjoka Konstruksion” për propozimin e pakërkuar për Rrugën e Arbrit.

Më 31 tetor 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nën drejtimin e Damian Gjiknurit, do të shpallte fitues “Gjoka Konstruksion” me ofertë 40 miliardë lekë me TVSH ose 400 milionë euro, e cila krijoi kompaninë “Gjoka 87” për koncesionarin.

Por çfarë e lidh Ballukun me këtë projekt?

Konfliktet e mundshme të interesit

Paralelisht me lidhjen e kontratës koncesionare për Rrugën e Arbrit, në nëntor 2018, do të shpallej edhe fituesi nga Ministria e Infrastrukturës për shërbimet inxhinierike të pavarura për zbatimin e kësaj kontrate.

Ky tender u fitua nga bashkimi i kompanive “GR ALBANIA” dhe “GAUFF GmbH & Co Engineering” me ofertë 535 milionë lekë me TVSH ose 5.4 milionë euro.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se në vitin 2022 është bërë shtesë për këtë kontratë. Por vazhdimi i kontratës me “GR ALBANIA” ngre pikëpyetje për konflikte interesi nga kjo kompani. Në 20 shtator 2017, bashkimi i kompanive “Alb- Star”, “AGNA SHA” dhe “GR ALBANIA” do të themelonin kompaninë “GRABOVA HYDROPOWER”, pasi sapo kishin fituar kontratën koncesionare për ndërtimin, operimin dhe transferimin e Hidrocentralit Grabovë 1 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Megjithatë në vitin 2021, ekuilibrat brenda kompanisë koncesionare “GRABOVA HYDROPOWER” do të ndryshonin.

Në 5 Prill 2021, “Gjoka Konstruksion” do të blinte 34% të aksioneve nga kompania “Alb-Star” për kontratën e hidrocentralit me afat përdorimi 35 vite.

Pra, zyrtarisht prej prillit 2021, kompania “GR ALBANIA”, e cila supervizon punimet e kompanisë “Gjoka Konstruksion” për Rrugën e Arbrit është në ortakëri me këtë të fundit. Madje merr një shtesë prej 558 milionë lekësh (të vjetra) nga Ministria e Infrastrukturës për të mbikëqyrur punimet e kompanisë, me të cilën po ndërton një hidrocentral.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj, institucionet duhet të jenë më të vëmendshme ndaj këtyre rasteve.

“Realisht është një problem i atyre që organizojnë gjithë këtë garë, tendera me para publike që jepen ndërmarrjeve. Natyrshëm që është edhe një dobësi institucionale në raste mos verifikimit fillestar apo paraprak dhe nga ana tjetër edhe investigimit kur nuk ka përputhshmëri të fondeve me investimin”, deklaron Gjokutaj.

Dyshimet për shkeljen e procedurave me tenderët bien mbi Ministrinë e Infrastrukturës sepse sa herë që transferohen aksionet e një kontrate koncesionare, kompanitë kanë si detyrim të njoftojnë Ministrinë për ndryshimet e ndodhura.

Por ky tender nuk është i vetmi që ngre pikëpyetje për konfliktet e interesit.

Paralelisht me lidhjen e kontratës koncesionare për Rrugën e Arbrit, në nëntor 2018, do të shpallej edhe fituesi nga Ministria e Infrastrukturës për shërbimet inxhinierike të pavarura për zbatimin e kësaj kontrate.

Ky tender u fitua nga bashkimi i kompanive “GR ALBANIA” dhe “GAUFF GmbH & Co Engineering” me ofertë 535 milionë lekë me TVSH ose 5.4 milionë euro.

 

 

Nga të dhënat zyrtare rezulton se në vitin 2022 është bërë shtesë për këtë kontratë. Por vazhdimi i kontratës me “GR ALBANIA” ngre pikëpyetje për konflikte interesi nga kjo kompani. Në 20 shtator 2017, bashkimi i kompanive “Alb- Star”, “AGNA SHA” dhe “GR ALBANIA” do të themelonin kompaninë “GRABOVA HYDROPOËER”, pasi sapo kishin fituar kontratën koncesionare për ndërtimin, operimin dhe transferimin e Hidrocentralit Grabovë 1 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Megjithatë në vitin 2021, ekuilibrat brenda kompanisë koncesionare “GRABOVA HYDROPOWER” do të ndryshonin.

Në 5 Prill 2021, “Gjoka Konstruksion” do të blinte 34% të aksioneve nga kompania “Alb-Star” për kontratën e hidrocentralit me afat përdorimi 35 vite.

Pra, zyrtarisht prej prillit 2021, kompania “GR ALBANIA”, e cila supervizon punimet e kompanisë “Gjoka Konstruksion” për Rrugën e Arbrit është në ortakëri me këtë të fundit. Madje merr një shtesë prej 558 milionë lekësh (të vjetra) nga Ministria e Infrastrukturës për të mbikëqyrur punimet e kompanisë, me të cilën po ndërton një hidrocentral.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj, institucionet duhet të jenë më të vëmendshme ndaj këtyre rasteve.

“Realisht është një problem i atyre që organizojnë gjithë këtë garë, tendera me para publike që jepen ndërmarrjeve. Natyrshëm që është edhe një dobësi institucionale në raste mos verifikimit fillestar apo paraprak dhe nga ana tjetër edhe investigimit kur nuk ka përputhshmëri të fondeve me investimin”, deklaron Gjokutaj.

Dyshimet për shkeljen e procedurave me tenderat bien mbi Ministrinë e Infrastrukturës sepse sa herë që transferohen aksionet e një kontrate koncesionare, kompanitë kanë si detyrim të njoftojnë Ministrinë për ndryshimet e ndodhura.

Por ky tender nuk është i vetmi që ngre pikëpyetje për konfliktet e interesit.

Kamuflimi për Rrugën e Arbrit

Më 2 gusht 2022, publikisht zv. kryeministrja Balluku u tha shqiptarëve se nuk do të kishte rritje kostosh për Rrugën e Arbrit nga buxheti i shtetit.

Por një muaj pas deklaratës, Ministrja Balluku nëpërmjet shkresës nr. 4014/16 më 7 shtator 2022, kishte miratuar transferimin e fondeve te Autoriteti Rrugor Shqiptar, nën drejtimin e Evis Berberit.

Berberi nëpërmjet këtij financimi do të hapte garën për dy tendera me fond limit 2.3 miliardë lekë ose 23 milionë euro, për dy akse të ndryshme të Rrugës së Arbrit. Këto investime publike nga kompanitë private kanë ngritur pikëpyetje mbi specifikat ligjore, se si do të mbivendosen këto punime mbi kontratën e koncesionarit.

Inxhinieri Spartak Tarka shprehet se duke qenë 3 – 4 sipërmarrës për ndërtimin e kësaj rruge ndahet përgjegjësia.

Tarka shton se në këtë kuadër, rruga ka pasur dëmtime dhe ka pasur edhe mungesë të sigurisë rrugore.

Nëpërmjet fondeve të reja, ARRSH-ja do të hapte garën për tenderin “Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Plani i Bardhë” me fond limit 1 miliardë e 170 milionë lekë, i cili shtrihet mbi Rrugën e Arbrit.

Në nëntor 2022, kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, do të shpallte fitues konsorciumin e kompanive “SELAMI”, “COMPANY RIVIERA 2008” dhe “GARDEN LINE” me ofertë  1 miliardë e 375 milionë lekë me TVSH ose rreth 14 milionë euro.

Nga burimet zyrtare, “SELAMI” shpk është kompani e nënkontraktuar nga “Gjoka Konstruksion” për punimet në Rrugën e Arbrit.

Pyetja që shtrohet nga ekspertët e prokurimeve në këtë rast është:

Si është e mundur që kompania që është nënkontraktuar nga koncesionari garon me këtë të fundit në një tender për të njëjtin aks? 

Pjesëmarrja e dy kompanive në një tender publik, të cilat janë duke zhvilluar bashkë një projekt tjetër publik, ngre dyshime për konflikt interesi dhe vendos në pikëpyetje rolin e ARRSH-së.

Ka qenë vet Ministria e Infrastrukturës, e cila ka konfirmuar  se “SELAMI” shpk është nënkontraktuar nga koncesionari i Rrugës së Arbrit.

Në skenë del përsëri kompania “GR ALBANIA”, në pronësi të Gentjan Filajt dhe Reald Mansakut, e cila ka fituar tenderin për supervizimin e kësaj rruge, ndërkohë që ka qenë duke supervizuar koncesionarin në të gjithë gjatësinë e këtij aksi.

Balluku rishikoi buxhetin për Rrugën e Arbrit

Premtimet e zv. Kryeministres, Balluku për Rrugën e Arbrit nuk janë shkelur vetëm me afatet, të cilat kanë shtyrë punimet për ndërtimin e tunelit të Murrizit me 20 muaj.

Një muaj pasi Balluku transferoi fondin për ARRSH-në, ky institucion do të shpallte tenderin për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpatave në Shkallën e Tujanit me vlerë 1 miliardë e 112 milionë lekë ose 11 milionë euro.

Ky aks, ashtu si Plani i Bardhë shtrihet në Rrugën e Arbrit dhe gara për këtë tender është finalizuar në nëntor 2022 me ofertë fituese nga konsorciumi i kompanive “Ante-Group”, “FERRO BETON-CONSTRUCTION CO” dhe kompanisë turke “BILGIN TAAHHUT INSAAT MADENCILIK SANAYI VE TICARET” me vlerë 1 miliardë e 335 milionë lekë me afat 18 muaj.

Por nga kërkimet në terren zbulohet se tabela e punimeve për këtë projekt është me afat 13 muaj, duke ngritur pikëpyetje se si janë ndryshuar afatet për këtë kontratë. Ky segment të krijon përshtypjen e legjendës së murimit, sa herë ka reshje të rrëmbyeshme dhe vërshime gurësh nga pjerrinat ndanë “Rrugës së Arbrit”.

Në total, nga Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet Evis Berberit janë tenderuar 27 miliardë lekë me TVSH ose 27 milionë euro vetëm për “Rrugën e Arbrit”, duke përdorur kompani private, për të fshehur shtimin e kostos.

Megjithatë sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Ministrinë e Financave, çelja e fondeve për dy tenderat e finalizuar nga ARRSH-ja për akset në Rrugën e Arbrit nuk kanë qenë pjesë e Projekt Buxhetit Afatmesëm dhe as pjesë e listës së investimeve publike.

Edhe pse raporti ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, mbledhja e Këshillit të Ministrave për rishikimin e buxhetit është drejtuar nga zv. kryeministrja Balluku, e cila ka firmosur ndryshimet në buxhetin e 2022.

Konkretisht, më 29 dhjetor 2022, me anë të aktit normativ nr.19, Këshilli i Ministrave nën drejtimin e Ballukut ka rishikuar buxhetin e shtetit. Këto ndryshime janë kritikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka deklaruar se miratimi i akteve normative është bërë në tejkalim afati dhe pa analiza të detajuara nga Ministria e Financave.

Duhet theksuar se këto fonde nuk kanë qenë të parashikuara në Projekt Buxhetin Afatmesëm, e megjithatë lidhja e këtyre kontratave nga Evis Berberi është bërë në shkelje të afateve sipas audituesve.

Vrulli i Ministrisë së Infrastrukturës për fondet shtesë të Rrugës së Arbrit ka zbuluar detaje të reja. Nga të dhënat e thesarit, të përpunuara nga Open Data rezulton se ARRSH-ja ka realizuar 99% të pagesave drejt kompanisë “SELAMI” shpk për kontratën e Planit të Bardhë me vlerë 1.3 miliardë lekë, gati 6 muaj përpara përfundimit të projektit.

Por ndryshe vijojnë pagesat për Shkallën e Tujanit, ku kompanitë që kanë fituar projektin kanë marrë 880 milionë lekë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Megjithatë përtej dyshimeve për korrupsion, ajo që ngre pikëpyetje të forta është shfaqja e influencës ruse, jo vetëm në sektorin e energjetikes, por edhe tek fondet për rrugët.

Nga kërkimet, rezulton se kompania “GR ALBANIA” është në ortakëri me kompaninë ‘TREMA ENGINEERING 2”,  e cila ka si aksioner bilionerin rus Oleg Deripaska, një nga aleatët më të ngushtë të Presidentit Vladimir Putin.

Për herë të parë, Deripaska iu nënshtrua sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018. Prej asaj periudhe, administrata amerikane pretendon se Deripaska iu shmang sanksioneve në mënyra të ndryshme, duke përdorur kompani guackë për të fshehur aktivitetet e tij. Ndërkohë që Shqipëria ishte një nga vendet që e ka mbyllur qiellin dhe tokën për Rusinë, pas luftës së nisur në Ukrainë, oligarkët rusë përfitojnë nga burimet energjetike apo resurset në vendin tonë.