Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili u arrestua në Tiranë me urdhër të Prokurorisë Speciale, me pretendimin se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të disa çështjeve penale, të ngritura pas luftës në Kosovë, ka reaguar nga burgu me një shkrim të titulluar “SHQIPËRIA, KOSOVA DHE “GRUSHTI JURIDIK I SHTETIT”” të publikuar në rrjetet sociale.

Sipas tij, sot Shqipëria dhe sistemi i saj juridik po tentohen të merren peng nga Zyra e Prokurorit Special e Kosovës dhe Gjykata Speciale e Kosovës, pasi kanë marrë peng shtetin e brishtë dhe të ri të Kosovës duke e kthyer atë në kohën e Rankoviçit.

Dritan Goxhaj shprehet se akuzat për të cilat ai akuzohet; “Frikësim i dëshmitarëve” dhe “Pengim i drejtësisë”, janë akuza që hyjnë në veprat penale të konsideruara të zakonshme në sistemin juridik të Kosovës dhe, sipas tij, ato nuk janë kompetencë lëndore as e Prokurorisë Speciale të Kosovë dhe as e Gjykatës Speciale të Kosovës.

Më tej ai shton se Prokuroria Speciale e Kosovës është e autorizuar të hetojë dhe ndjekë penalisht vetëm shtetas të Kosovës dhe/ose Republikës Federale të Jugosllavisë apo persona të cilët kanë kryer krime kundër shtetasve të Kosovës që lidhen me sjelljet dhe veprimet e përmendura në raportin e APKE-së të Dik Martit (Dick Marty).

Sipas tij, ai është arrestuar vetëm për dy arsye thelbësore: e para, sepse deklaron – shpreh atë që beson dhe, e dyta, sepse atë që beson e shpreh dhe e publikon si opinon të tijin në formë artikulli.

Unë vetëm uroj që shteti shqiptar dhe një pjesë e sistemit të tij juridik të arrijnë të kuptojnë kurthin vdekjeprurës ndaj lirisë së fjalës dhe ndërgjegjes drejt të cilit po e shtyjnë ZPS-ja dhe Gjykata Speciale e Kosovës. Uroj që Shqipëria ime të ecë drejt Europës me liri fjale, opinioni dhe ndërgjegjeje e mos të bjerë viktimë e mentalitetit Rankoviço-Titist të ZPS-së dhe Gjykatës Speciale të Kosovës dhe t’i thotë “Jo!” pengmarrjes së shtetit shqiptar. Shpresoj dhe besoj se sistemi gjyqësor shqiptar do të respektojë, në rastin tim dhe jo vetëm, parimet bazë të një gjykimi të drejtë e të paanshëm.” – shkruan në reagimin e tij Dritan Goxhaj.

Ish-luftëtari i UÇK-së shkruan se është i burgosuri i parë i ndërgjegjes në Shqipërinë post-moniste dhe i kërkon gjykatës lirimin pasi, pretendon se po mbahet në burg në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën.

Kujtojmë se Dritan Goxhajt, ish-luftëtar i UÇK-së, është ndër të paktët që shkuan nga Shqipëria për të luftuar në Kosovë (së bashku me të atin, kolonelin Dilaver Goxhaj). Goxhaj i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Reagimi i Dritan Goxhajt

SHQIPËRIA, KOSOVA DHE “GRUSHTI JURIDIK I SHTETIT”

Të arrestuarit dhe të dënuarit e fundit të ndërgjegjes në Republikën e Shqipërisë kanë qenë në vitin 1989. Prej atij viti Shqipëria ka tentuar të ecë në rrugën europiane, pa të arrestuar apo të dënuar të ndërgjegjes. Megjithatë, plot 30 vjet më pas, Shqipërisë po i imponohet sot që të kthehet 30 vite pas. Sot, Shqipëria dhe sistemi i saj juridik po tentohen të merren peng nga ZPS-ja (Zyra e Prokurorit Special) e Kosovës dhe Gjykata Speciale e Kosovës. Këto dy subjekte, pasi kanë marrë peng shtetin e brishtë dhe të ri të Kosovës duke e kthyer atë në kohën e Rankoviçit, kur shqiptarët arrestoheshin, dënoheshin dhe vriteshin vetëm për lirinë e fjalës, vetëm se guxonin të shprehnin hapur opinionet e tyre të cilat, kur binin ndesh me politikën vrastare rankoviçiane të Serbisë në Kosovë, u rrezikonin jetën dhe qenësinë shqiptarëve, po mundohen edhe sot që, përveç shtetit të Kosovës dhe Kushtetutës së saj, të marrin peng edhe fjalën e lirë dhe ndërgjegjen në Kosovë nëpërmjet një grushti shteti juridik në Kosovë.

Kjo prokurori dhe gjykatë kanë vendosur për arrestimin tim me pretekstin e shkruar e bardha mbi të zezë në faqen 6 të vendimit për arrestimin tim në pikën Koha dhe vendi i kryerjes së veprës (penale): “Gjykatësi i vetëm ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar që z. Goxhaj, së paku dy herë, zbuloi qëllimisht çfarë besonte përmes një postimi në faqen e Facebook-ut që mban emrin e tij, në formën e një artikulli –opinion.”

Le t’i shohim me radhë që të kuptojmë natyrën kriminale-rankoviçiane të kësaj prokurorie dhe gjykate.

Kjo prokurori dhe gjykatë kërkojnë arrestimin tim dhe ekstradimin drejt vendndodhjes së kësaj gjykate në Hagë me akuzën:

1. Frikësim i dëshmitarëve

2. Pengim i drejtësisë

Të dyja këto akuza hyjnë në veprat penale të konsideruara të zakonshme në sistemin juridik të Kosovës dhe, si të tilla, ato nuk janë kompetencë lëndore as të kësaj prokurorie e as të kësaj gykate.

Kjo prokurori, sipas faqes së saj zyrtare www.sep-ks.org shkruan: “Prokurori i Specializuar ka kompetenca për sa vijon:

a) Të marrë në pyetje viktima, dëshmitarë dhe të dyshuar dhe të regjistrojë deklaratat e tyre

b) Të kryejë hetime në vendngjarje, të mbledhë prova

c) Të kërkojë ndihmë prej vendeve të treta, organizatave ndërkombëtare dhe subjekteve të tjera

d) Të ndërmarrë masa hetimore

Dhe të gjitha këto vetëm në kuadër të ligjit që e autorizon ZPS-në të hetojë dhe ndjekë penalisht shtetas të Kosovës dhe/ose Republikës Federale të Jugosllavisë apo persona të cilët kanë kryer krime kundër shtetasve të Kosovës që lidhen me sjelljet dhe veprimet e përmendura në raportin e APKE-së të Dik Martit (Dick Marty).

Ashtu siç edhe shihet qartësisht, veprat për të cilat kjo prokurori ka ngritur akuzë ndaj meje nuk janë absolutisht kompetencë e kësaj prokurorie dhe as e kësaj gjykate, por këto dy subjekte i kanë dhënë vetes tagrin që të marrin edhe kompetencat e prokurorisë dhe gjykatës së juridiksionit të përgjithshëm. Dhe kjo nuk është as më shumë e as më pak se një grusht shteti kriminal.

Tani, le të vijmë tek pjesa tjetër, aty ku këto dy subjekte arsyetojnë vendimin e tyre për arrestimin tim. Aty ato deklarojnë se unë kam zbuluar atë çfarë unë besoj, në formën e një artikulli- opinion. Dhe këtu vijmë tek mentaliteti rankoviçian që i udhëheq këto dy subjekte. Arrestimi im bëhet vetëm për dy arsye thelbësore. E para, sepse deklaroj – shpreh atë që besoj dhe, e dyta, sepse atë që besoj e shpreh dhe e publikoj si opinon timin në formë artikulli. Këto dy arsye të vetme me të cilat këto dy subjekte justifikojnë arrestimin tim hyjnë te veprat penale të ndërgjegjes, vepra penale këto që ka 30 vjet që janë hequr nga Kodi Penal në Shqipëri, ndërsa në Kosovën e re ato as nuk ekzistojnë fare. Këto dy subjekte, në bashkëpunim kriminal me njëra-tjetrën, në këtë rast, ia kanë kaluar vendimin e tyre antikushtetues për ekzekutim Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë. Kjo Ministri, e vetëdijshme për këtë antikushtetueshmëri të këtij vendimi, ka vendosur ta ekzekutojë atë. Në këtë moment është realizuar pengmarrja juridike e shtetit dhe qeverisë së Kosovës nga ana e ZPS-së dhe Gjykatës Speciale.

Për momentin unë nuk jam në gjendje të them nëse kjo ka ndodhur me vetëdije apo pa vetëdije të qeverisë Kurti por, duke qenë se deri më tani këto dy subjekte kanë arritur të marrin peng Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri dhe Prokurorinë e Shkallës së parë, të krijon përshtypjen e një lloj tentative të tipit “Revolucion Kinez” për të marrë peng jo vetëm sistemin juridik në Shqipëri, por edhe gjithë shtetin dhe shoqërinë në vendin tonë. Duke e detyruar edhe Shqipërinë që ta pranojë dhe ekzekutojë këtë vendim antikushtetues dhe kriminal të këtyre dy subjekteve jo vetëm që arrijnë të bëjnë një grusht shteti juridik edhe në Shqipëri, por në këtë mënyrë e kthejnë Shqipërinë sërish në vitin 1945 kur te ne diktonte Serbia rankoviçiane- titiste.

Unë vetëm uroj që shteti shqiptar dhe një pjesë e sistemit të tij juridik të arrijnë të kuptojnë kurthin vdekjeprurës ndaj lirisë së fjalës dhe ndërgjegjes drejt të cilit po e shtyjnë ZPS-ja dhe Gjykata Speciale e Kosovës.

Uroj që Shqipëria ime të ecë drejt Europës me liri fjale, opinioni dhe ndërgjegjeje e mos të bjerë viktimë e mentalitetit Rankoviço-Titist të ZPS-së dhe Gjykatës Speciale të Kosovës dhe t’i thotë “Jo!” pengmarrjes së shtetit shqiptar.

Shpresoj dhe besoj se sistemi gjyqësor shqiptar do të respektojë, në rastin tim dhe jo vetëm, parimet bazë të një gjykimi të drejtë e të paanshëm.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i garanton çdokujt, pra edhe mua, lirinë e të menduarit dhe të të shprehurit, si një e drejtë universale. Dhe unë ndodhem këtu ku jam pikërisht për arsyen e vetme sepse kam guxuar të mendoj dhe të shpreh atë që mendoj. Në akuzën ndaj meje ngritur nga Prokuroria Speciale dhe Gjykata Speciale e Kosovës, në pjesën që titullohet ‘Koha dhe vendi i kryerjes së veprës penale’, thuhet shprehimisht: “Z. Goxhaj zbuloi qëllimisht çfarë besonte përmes një postimi në FB në formën e një artikulli opinion”.

Po, arrestimi im kërkohet vetëm pse kam shprehur një opinion, pra, pse kam ushtruar të drejtën time kushtetuese.

Ndërsa, po në të njëjtën pikë, më poshtë, shkruhet: “Në çdo kohë mund të zbulojë edhe të dhëna të tjera”. Pra, këtu qartësisht kërkohet që unë të mbahem në burg si masë preventive vetëm se ata frikësohen se unë mund të flas sërish. Këtu kemi të bëjmë me një mendësi të bandave kriminale, të cilat i ekzekutojnë ata persona që ata mendojnë se mund të flasin mbi aktivitetet e tyre kriminale. Qartësisht unë po mbahem në burg në shkelje të ligjit në Shqipëri, pasi ligji në Shqipëri nuk e lejon burgosjen për lirinë e fjalës dhe as burgosjen për arsye se mund të flasësh sërish. Që të dyja kanë të bëjnë vetëm me lirinë e fjalës – pse kam folur dhe sepse mund të flas.

Në këtë moment jemi kthyer sërish në kohën e regjimit monist kur njerëzit burgoseshin pse flisnin dhe sepse mund të flisnin diçka në të ardhmen. Edhe atëhere, njësoj si në këtë rastin tim, atyre që tentonin t’i fusnin në burg për arsye të lirisë së fjalës u mvishnin të njëjtat akuza ashtu si edhe mua.

Sot unë akuzohem për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë. Në kohën e sistemit monist të njëjtët si unë akuzoheshin për:

1. Frikësim të masave dhe të popullit

2. Pengim të pushtetit popullor

Dhe unë sot besoj se jam i burgosuri i parë i ndërgjegjes në Shqipërinë post-moniste. Ndaj, i kërkoj gjykatës lirimin tim pasi, ashtu si edhe e shtjellova, po mbahem në burg në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën.

Jam i mendimit se gjykata nuk ka në dorë vetëm lirinë time, por edhe dinjitetin e shtetit dhe se sot ajo mund të bëjë ndarjen nëse Shqipëria do të vazhdojë të jetë demokratike dhe europiane ku fjala e lirë është baza e shoqërisë, apo do e kthejë atë në vitin 1945.