Kryebashkiaku i Skraparit Adriatik Mema, kërkon nga kompania telefonike “One Telecommunications” që të ndalojë transmetimin e një spoti publicitar të realizuar në kanionet e Osumit.

Sipas Memës, spoti i cili i “afron” kanionet e Osumit në qytetin e Beratit, është sa dezinformues aq edhe çorientues për vizitorët vendas apo të huaj, shkruan newsbomb.al. Kryebashkiaku thotë se natyra ia ka falur këtë bukuri unike Çorovodës.

“Pozicionimi gjeografik i kanioneve, kjo e vërtetë e patjetërsueshme e natyrës, nuk mundet kurrsesi të sfidohet nga spote të tilla, sado të kushtueshme, tërheqëse apo impresionuese qofshin ato. Ndaj, çdo transmetim i mëtejshëm i këtij spoti, në formën që është sot, jo vetëm çorienton publikun, por edhe anashkalon promovimin e krahinës së mrekullueshme të Skraparit”, shkruan kryetari Adriatik Mema.

Reagim i Kryetarit të Bashkisë, Adriatik Mema, lidhur me spotin e One Telecommunications

Në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Skrapar, duke përcjellë edhe zërin e qytetarëve të Skraparit, por jo vetëm, kërkoj saktësimin e informacionit që përmban spoti publicitar i kompanisë One Telecommunications. Ky spot, i cili i “afron” kanionet e Osumit në qytetin e Beratit, është sa dezinformues, aq edhe çorientues për vizitorët vendas apo të huaj.

Natyra ia ka falur këtë bukuri unike Çorovodës, ashtu sikurse i ka falur Beratit bukuritë e tij të çmuara. Berati nuk ka aspak nevojë për këtë “dhuratë”, e cila i ofrohet nga spoti i kompanisë One. Jam i bindur se, qytetarët e Beratit ndihen të surprizuar nga kjo gjë.

Pozicionimi gjeografik i kanioneve, kjo e vërtetë e patjetërsueshme e natyrës, nuk mundet kurrsesi të sfidohet nga spote të tilla, sado të kushtueshme, tërheqëse apo impresionuese qofshin ato. Ndaj, çdo transmetim i mëtejshëm i këtij spoti, në formën që është sot, jo vetëm çorienton publikun, por edhe anashkalon promovimin e krahinës së mrekullueshme të Skraparit.

Deri sa kjo të saktësohet, vizitorëve dhe admiruesve të bukurive të natyrës që Skrapari, ashtu si Berati, dëshirojnë të jenë sa më të shumtë këtë vit, ju them se, ju duhet të udhëtoni edhe 50 km më tej, për të shijuar kanionet e Osumit, këtë mrekulli natyrore të vendosur në SKRAPAR. Ja vlen vërtet ta bëni këtë gjë, nuk do të zhgënjeheni.