Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Berat mbrëmjen e sotme, ku tre të rinj kanë mbetur të plagosur.

Nga informacionet paraprake mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Uznovë”, në dalje të Beratit. Tre të rinjtë dyshohet se janë konfliktuar pas gërvishtjes së një mjeti.

Kanë qënë dy vëllezërit Donald dhe Denis Destani, 29 dhe 25 vjeç ata që pasi kanë zbritur nga mjeti i tyre, kanë thyer me leva xhamat e automjetit të shtetasit Xhuljano Hyraj, 27 vjeç.

Burime nga Spitali Rajonal Berat bëjnë me dije se Donald Destani ka marrë plagë thike në shpatull, ndërsa Xhuljano Hyraj ka marrë goditje me levë në kokë. Mësohet se tre të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.