Leku vijon “të fundosë” euron. Edhe java që sapo mbyllëm foli për një mbiçmim të lekut ndaj valutave të huaja, e sidomos ndaj monedhës së përbashkët europiane.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha shqiptare u këmbye me 104,42 euro. Ky është edhe niveli më i ulët nga 25 Gushti ku monedha europiane regjistroi vlerën më të lartë në 110,58 lekë, pas një ecurie zhgënjyese gjatë sezonit turistik. Ndërkohë, dollari amerikan ka rifituar lehtë terren, duke u këmbyer me 97,84 lekë, por mbetet në vlera ende të ulëta.
Mbiçmimi i lekut ndaj valutave u shpjegua me hyrjet e larta të këtyre të fundit gjatë një sezoni të suksesshëm turistik. Por, ndonëse kjo është lënë pas tashmë, ecuria e euros vijon në rënie nga dita në ditë.
Çfarë po ndodh në të vërtetë me euron?
Pikëpyetjet e ngritura me nisjen e rënies së euros që në nisje të sezonit turistik ishin të shumta për specialitët e ekonomisë. Një nga problematikat që ata shihnin ishte shtimi i parasë informale në treg. Kjo pikë u la në heshtje, me justifikimin se është “bumi” turistik që ka mbiçmuar lekun.
Por tashmë që sezoni ka mbaruar, del në dritë sërish çështja e pastrimit të parave, apo informaliteti në ekonomi. Specialistë të këtij sektori shprehen për Vox News, se paraja informale, apo qarkullimi i saj jashtë sistemit bankar, janë problemi i vërtetë që po ndeshet në ekonomi.
Sektori që shihet më problemtiku në qarakullimin informal është ndërtimi. Megjithë masat “ndëshkuese” që janë marrë muajt e fundit nga qeveria shqiptare, ky sektor gjeneron dhe informalitet dhe pastrim parash.
Për ekspertët forcimi i lekut në këtë mënyrë e bën të pajustifikueshme atë që po ndodh në ekonomi dhe me logjikën e tyre kanalizimi i parave në mënyrë informale, është ajo që zhvlerëson euron.
Zhvillimi i vrullshëm i sektorit të ndërtimit dhe i pasurive të patundshme, sipas ekspertëve shfaq deformime që shkojnë në të kundërt me rregullat e tregut, të cilët argumentojnë më tej që vendi unë do të bëhet më i shtrenjtë dhe shqiptarët rrezikojnë të mbeten më të varfër. Në këtë lloj ecje paralele të tregut të ndërtimit ka ndodhur dhe deformimi i tregut, duke çuar kështu në rritje të informalitetit dhe mbiçmim të pazakontë të monedhës vendase.
Eksporti, sektor tjetër që rrezikohet nga zhvlerësimi i euros
Sipërmarrësit eksportues e shohin forcimin e lekut një shqetësim për ta, pasi ky sektor është skalioni i parë që merr goditjen. Kjo për faktin, sepse i marrin të ardhurat në euro dhe brenda muajit duhet të paguajnë në lek.
Duhet të paguajnë rrogat në lek, duhet të paguajnë taksat në lek, duhet të paguajnë energjinë elektrike në lek edhe çdo produkt tjetër, që ata blejnë brenda vendit.
Njohës të fushës së ekonomisë thonë se pasojat e forcimit të monedhës vendase në sektorin e eksporteve mund të reflektohen në mungesë likuiditeti dhe pamundësi për investime, ndërsa dhe bizneset e tjera përreth tyre rrezikojnë gjithashtu të preken.