Nga Ferdinand Dervishi
Një ngjarje që nuk po raportohet në asnjë asnjë lloj media është duke ndodhur në fshatin Dukat i Vjetër, që vendoset në afërsi të tunelit të Llogarasë në Vlorë.
Në orët e para të mëngjesit, disa roje dhe punonjës që punojnë për llogari të resortit “Green Coast” të biznesmenit Zamir Mane, në tentativë për të mundësuar marrjen e ujit nga burimi i fshatit, janë konfliktuar me banorët.
Si rezultat i konfliktit, një nga banorët, Petrit Gjoni (në foto), është goditur, gjakosur dhe dërguar në spitalin e Vlorës.
Banorët e kanë kundërshtuar marrjen e ujit nga kompania për shkakun se ai është aq i pakët, sa nuk plotëson dot as nevojat për konsum. Sipas tyre, në sezonin e verës, ujëprurja është aq minimale, saqë ata detyrohen ta mbledhin dhe ruajnë në depozita.
Po sipas banorëve, tashmë kompania “Green Coast” e ka hapur rrugën deri te burimi, pavarësisht se punimet janë kryer në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Po sipas banorëve, Policia e Vlorës nuk i është përgjigjur thirrjeve për ndihmë, duke mbërritur në vendngjarje pas 1 ore e gjysmë nga sinjalizimi i parë. Po kështu edhe ambulanca për të plagosurin, ka ardhur pothuaj me të njëjtën vonesë.
Banorët e Dukatit të Vjetër thonë se kanë lajmëruar një mbledhje të komunitetit, që do të mbahet në orët e para të mbrëmjes së sotme.