Kompanitë e biznesmenit Samir Mane (Balfin Group, Mane TCI dhe Green Coast), rezultojnë të implikuara jo vetëm në pastrimin e parave të ish zv Kryeministrit, Arben Ahmetaj, me dy vilat në Palasë dhe Valamar, por janë implikuar në veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Sipas dosjes së SPAK, më 8 mars 2023, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar për të ushtruar kontroll në vilën me numër me nr.73 në kompeksin Green Coast në Palasë.

Hetuesit kanë marrë kontakt me administratorin Martin Gega. Ky i fundit u ka vendosur në dispozicion punonjësen Klaudia Sinanaj. Nga ana e saj Klaudia Sinanaj u ka vendosur në dispozicion hetuesve një dokument që tregonte se vila 73 ishte në pronësi të kompanisë ‘Inerte Express’, me pronar shtetasin Mond Bega.

Ndërkohë, nga ana tjetër, punonjësja pranë Green Coast, Ervisa Maçovila, u ka vënë në dispozicion hetuesve një dokument që tregonte se vila nr. 73 ishte në pronësi të Albina Mançka, ish bashkëshortja e Arben Ahmetajt.

Meqenëse kishte dy dokumenta të ndryshme për të njëjtën vilë, hetuesit u kërkojnë dy punonjësve Klaudia Sinanaj dhe Ervisa Maçovila që të mos bëjnë asnjë veprim në kompjutërat e tyre, pasi do të kryheshin veprime hetimore.

Punonjësja e Green Coast, Klaudoia Sinanaj i ka sugjeruar në panik koleges së saj, Ervisës, që të fshijë nga kompjuteri, dokumentin që tregonte se vila ishte e Albina Mançkës, duke penguar hetimet dhe me qëllim për të shpëtuar Albina Mançkën dhe Arben Ahmetajn nga përgjegjësia penale. Gjithashtu, punonjësja Erisa Maçovila, ka fikur kompjuterin, duke u thënë se kompjuterin e kishte privat.

SPAK  ka marrë në pyetje edhe administratorin Martin Gega, i cili ka gënjyer para hetuesve duke fshehur pronarin e vërtetë, Albina Mançka, dhe nxjerr në skenë Mond Begën. Nga kqyrja e telefonit të Martin Gegës, janë zbuluar kontaktet e tij me Albina Mançkën, si pronare e vilës 73.

Me këto lëvizje, punonjësit e Green Coast implikojnë biznesmenin Samir Mane, pasi këta punonjës nuk kishin ndonjë arsye për të zhdukur prova që tregonin se Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj ishin pronarë të vilës 73, që sipas dosjes së SPAK, është krijuar me para korrupsioni.

Kompanitë e Samir Manes, kanë bërë kontrata fiktive edhe për të mbuluar vilën tjetër të Arben Ahmetajt në Valamar.

Shkrimi është marr me shkurtime nga portali Replika.al. Versionin e plotë mund ta gjeni KETU