Rovena Dilo është një nga këngëtaret më të mira të muzikës së lehtë shqiptare, me një karrierë që vazhdon tashmë prej dekadash dhe ku ndër vite i ka dhuruar publikut disa prej hiteve më të bukura të dashurisë. E në fakt muzika vazhdon të jetë dashuria e saj më e madhe, këtë këngëtarja e ka pranuar gjatë intervistës në “Natën me Aulonën”, edhe pse kohët e fundit nuk është shumë aktive me projekte të reja.
Një nga projektet e fundit që ajo ka publikuar është “Meduza” dhe duke folur pikërisht për këtë këngë, Rovena u pyet nga moderatorja nëse e kishte menduar që të shkonte ndonjëherë në Eurovizion me një baladë të tillë. Dilo tha se Eurovizion-in e ka menduar, megjithatë që të shkosh atje duhet të kalosh kalvarin e mundimshëm dhe të lodhshëm të Festivalit Kombëtar, që sot është bërë në një arenë blerjesh dhe klanesh.
Po ashtu artistja tha se tani në Festival, pjesëmarrësit shkojnë dhe e kërkojnë ende që pa nisur çmimin e parë, gjë që sigurisht nuk është aspak e bukur për t’u bërë dhe që ajo vetë nuk do ta pranonte kurrë. Nga ana tjetër ajo tha se në vitet kur ajo merrte pjesë në Festival, ka pasur konkurencë mes 6 apo 7 artistëve për trofeun dhe kompeticioni ka qenë i vërtetë, pavarësisht se edhe atëherë mund të ketë pasur klane, por tani nuk është më njësoj.
Në fund, Dilo tha se nëse kjo gjë do të rregullohet, atëherë do të rikthehej të merrte pjesë në Festivalin e Këngës dhe pse jo të mendonte edhe Eurovizionin.