3 persona janë proceduar penalisht pas publikimit të videos së dhunës së ushtruar ndaj një të riu pranë parkut të autobusave pranë Kthesës së Kamzës. Pas publikimit të lajmeve, Policia ka bërë me dije se janë identifikuar dhe proceduar penalisht, 3 persona që janë identifikuar me iniciale: E. M., 16 vjeç, I. M., 42 vjeç, dhe A. Sh., 40 vjeç, të tre banues në Tiranë. Të tre akuzohen për kryerjen e veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Sipas Policisë, të tre në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, janë konfliktuar me 17-vjeçarin, e identifikuar me iniciale si G. N., e më pas e kanë goditur me grushte dhe sende të forta.

NJOFTIMI I PLOTË:

Tiranë

Në lidhje me një video të postuar në portale, për një konflikt të ndodhur në vendin e quajtur Kthesa e Kamzës, ju sqarojmë se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar. Pas identifikimit të autorëve të dyshuar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, shoqëruan në komisariat dhe proceduan penalisht shtetasit: – E. M., 16 vjeç, I. M., 42 vjeç, dhe A. Sh., 40 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e sotme, për motive të dobëta, janë konfliktuar me shtetasin G. N., 17 vjeç, dhe më pas e kanë goditur me grushte dhe sende të forta. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.