Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka akuzuar Rusinë se ka rrëzuar aksidentalisht një aeroplan në ditën e Krishtlindjeve në një katastrofë që vrau 38 persona dhe ka tentuar të mbulojë gjurmët.
“Mund të themi qartë sot se avioni u rrëzua nga Rusia. Ky është një fakt”, tha Aliyev në një intervistë televizive, sipas një transkripti të postuar në faqen e internetit presidenciale të Azerbajxhanit.
“Askush nuk mund ta mohojë këtë fakt”, vazhdoi Aliyev. “Përsëri, ne nuk po themi se kjo është bërë qëllimisht, por është bërë”.
Aeroplani i Azerbajxhanit po udhëtonte për në Grozny në Çeçeni përpara se të bënte një ulje emergjente pranë Aktaut në Kazakistan, tha linja ajrore të mërkurën.
Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë tha fillimisht se avioni u rrëzua pasi u përplas me zogj, megjithëse më vonë tha se dronët luftarakë ukrainas dhe mjegulla e dendur e detyruan avionin të largohej nga hapësira ajrore ruse.
Vrimat në trupin e avionit që duken të ngjashme me dëmtimet nga copëzat metalike, bënë që shumë njerëz të besonin se avioni ishte rrëzuar nga njësitë ruse të mbrojtjes ajrore.
“Fakti që trupi i avionit është i mbushur me vrima tregon se teoria e aeroplanit që godet një tufë zogjsh… është hequr plotësisht nga rendi i ditës”, tha Aliyev në intervistën e së dielës.
“Është e mundur që kur avioni është dëmtuar, kur është goditur, piloti mund ta ketë perceptuar atë si një përplasje me zogj. Sepse ndoshta nuk do t’i kishte shkuar kurrë në mendje askujt që avioni ynë mund të qëllohej nga toka ndërsa fluturonte mbi një vend miqësor për ne”, vazhdoi ai.
Ai tha se Rusia duhet t’i kërkojë falje Azerbajxhanit, të dënojë personat e përfshirë dhe të dëmshpërblejë familjarët e viktimave dhe të plagosurit.