Rritja e çmimeve ka ndihmuar arkën e buxhetit, që po mbledh më shumë të ardhura nga tatimi mbi vlerën e shtuar, duke ndikuar në gati gjysmën e rritjes së arkëtimeve në buxhet për tre muajt e parë të vitit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, Të ardhurat totale për 3-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 139 miliardë Lekë ose 104.4 % të planit të 3-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me 30 miliard lekë, ose 27.4% më shumë. Nga kjo rritje, rreth 13 miliardë lekë, apo gjysma e shtesës erdhi nga TVSH-ja.
Edhe zërat e tjerë si akciza, tatim fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale rezultojnë me rritje në tre muajt e parë të vitit. Ministrja e financave Delina Ibrahimaj e vlerësoni këtë ecuri si një performancë pozitive të ekonomisë. “Vëmendja dhe angazhimi ynë do të jetë për të ruajtur parametrat fiskalë dhe ecurinë pozitive të të ardhurave”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit të tatimeve, Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 123.6 miliardë lekë, 25.5 miliardë ose 26% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 5.3 miliardë ose 4.5% më shumë se plani 3-mujor për vitin 2022. Në këtë realizim kanë ndikuar faktorë të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve më poshtë.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 48.3 miliardë lekë, 10 miliardë lekë ose 26.2% më shumë se 3 muori 2021, si dhe 181 milionë lekë ose 0.4 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 3 mujorin e vitit 2022.
Të ardhurat nga TVSH në import për 3 mujorin rezultojnë 34.1 miliardë lekë, 8.3 miliardë lekë ose 32.2 % më shumë se një vit më parë, si dhe 296 milionë ose 0.9% më shumë se plani për 3 mujorin 2022.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 11.4 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 9.9% më shumë se viti 2021, si dhe 587 milionë lekë ose 4.9% më pak se plani i akcizës për 3 mujorin 2022.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.1 miliardë lekë, 176.9% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 132.7% kundrejt planit.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 1.7 miliardë lekë, 221 milionë lekë ose 14.7% më shumë se 3 mujori 2021, si dhe realizim në masën 113% kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 3 mujorin 2022 u realizuan në masën 75.3 miliardë lekë, 15.4 miliardë ose 25.9% më shumë se 3 mujori i vitit të kaluar, si dhe 5.1 miliardë lekë, ose 7.3% më shumë se plani i 3 mujorit 2022.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 11.6 miliardë lekë, 5.6 miliardë ose 94.4% më shumë se 3 mujori 2021, si dhe 290 milionë ose 2.4% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 3 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 3 mujore 2022 janë 2.8 miliardë lekë, 4.7 miliardë lekë ose 62.5% më pak se 3 mujori 2021, si dhe 959 milionë lekë ose 25.3% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 3 mujorin 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 14.3 miliardë lekë 3.7 miliardë lekë, ose 35.1% më shumë se 3 mujori 2021, si dhe 4 miliardë lekë ose 38.6% më shumë se plani i vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 12.1 miliardë lekë, 2.9 milardë lekë ose 30.6% më shumë se 3 mujori 2021, si dhe 2.5 miliardë ose 25.5% më shumë se plani i 3 mujorit 2022.
Taksat nacionale, për peridhën 3 mujore 2022 u realizuan në masën 9.3 miliardë lekë, 602 milionë lekë ose 6.9% më shumë se 3 mujori 2021, si dhe 923 milionë lekë ose 9% më pak se plani i përcaktuar për 3 mujorin 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 27.9 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 10.6% më shumë se 3 mujori 2021, si dhe realizim 99.7 % të planit për 3 mujorin 2022.
Ulen shpenzimet, buxheti rezulton me suficit
Sipas njoftimit të tatimeve, Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2022, arritën në rreth 117.1 miliard LEK me një realizim në masën 97.3 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 0.9 përqind më i ulët ose rreth 1.06 miliard LEK më pak. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 3 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 18.4 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 18.1 përqind të planit vjetor sipas Aktik Normativ nr.3, datë 12.03.2022 (AN nr.3).
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 3 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 96.4 përqind dhe 84 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 20.5 përqind dhe 6.3 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 20.8 përqind dhe 6.9 përqind të planit vjetor sipas AN nr.3.
Shpenzimet korente për periudhën 3 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 104.2 miliard LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 2.5 përqind më i lartë ose rreth 2.52 miliard LEK më shumë.
Shpenzimet kapitale për periudhën 3 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 7.6 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë është 53.7 përqind më i ulët ose rreth 8.8 miliard LEK më pak.
Niveli i suficitit për periudhën 3 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 22.2 miliard LEK, me një realizim në masën 170.5 përqind të planit të periudhës prej rreth 13 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 8.8 miliard LEK, për periudhën 3 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit./monitor