Ministria e Infrastrukturës është angazhuar në disa koncesione dhe investime në infrastrukturën rrugore që do i rrëmbejnë buxhetit me qindra miliona euro.
Rruga e Arbrit, koncesioni i rrugës Thumanë – Kashar, koncesioni për rrugën Lekaj – Fier, tuneli i Llogorasë, rruga Dukat – Llogora janë disa nga projektet shumë të mëdha me një faturë të jashtëzakonshme. Por a duhen shpenzuar kaq shumë para për koncesione për ndërtim rruge edhe në rrugët që janë të ndërtuara si ajo Lekaj – Fier?
Ministria e Infrastrukturës justifikohet me faktin se do jenë koncesionarët që do e ndërtojnë me paratë e tyre. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse në fund faturën do e paguajnë shqiptarët ndërsa koncesionarët vetëm do të marrin fitimet e kësaj pune. 1.3 miliardë në Lekaj – Fier, 1.3 miliardë në Thumanë -Kashar, qindra miliona euro për tunelin e Llogorasë e cila të çon drejt drejt bregdetit fluksin sezonal të vizitorëve.
Tuneli shkurton kohën e udhëtimit për të shkuar drejt Himarës, por në të gjithë bregdetin, nga Palasa deri në kufi me Sarandë, nuk ke të garantuar një shërbim shëndetësor cilësor. Spitali i Himarës, është vetëm një qendër e thjeshtë shëndetësore me mjek të përgjithshëm dhe infermierë në një kohë që gjatë kulmit të sezonit veror, rritet me 100 herë numri i personave që qëndrojnë atje.
Në Fier, sot nuk ka shërbim shëndetësor të plotë, as në Durrës, Kavajë, Lushnjë apo Rrogozhinë. Ndërkohë që pranë qyteteve pa spitale dinjitoze do kalojnë rrugët e florinjta. Qytetarëve më shumë se sa koncesionet për rrugë ku të fituar janë vetëm një grusht i vogël personash me lidhje klienteliste me politikën, ju duhen spitale të reja, qytete të rregullta dhe shkolla cilësore për fëmijët. Investimet për rritjen e standardit të jetesës së shqiptarëve, shëndetësi dhe arsim më të mirë, janë mundësia e vetme që të ndalet shpopullimi masiv i fshatrave dhe qyteteve të cilat do kenë rrugë të florinjta, por jo më banorë.