Një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij të Ukrainës Volodymyr Zelensky është i mundshëm, por vetëm nëse merren parasysh kushtet e vendosura nga Rusia.
Kështu është shprehur sot presidentja e Këshillit të Federatës Ruse (Senati), Valentina Matviyenko.
“Sa i përket takimit që Zelensky kërkon kaq shumë, sigurisht që një takim i tillë mund të bëhet.
Pse jo? Por një takim i tillë duhet të përgatitet në mënyrë thelbësore; dhe nëse ukrainasit dhe rusët bien dakord dhe me një dokument përfundimtar.
Për një takim me një dokument përfundimtar, foli edhe presidenti ynë, jemi gati. Është e kotë të bësh takime për të dhënë shpresë dhe për të mos marrë rezultate.”
Katër kushtet e para të Rusisë në mënyrë që të ulen armët janë të vështira për t’u përmbushur nga qeveria e Kievit.
E para është që Ukraina të jetë neutrale, domethënë mos t’i bashkohet NATO-s.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se e ka pranuar këtë kusht, megjithëse mbetet e diskutueshme nëse Ukraina do të ishte e lirë të aplikonte për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe si mund të funksionojnë “garancitë e sigurisë” të kërkuara nga Kievi.
Tre të tjerat janë çarmatimi i Ukrainës, i cili megjithatë duket se nuk përjashton mundësinë për të pasur ushtrinë e vet ukrainase.
Një tjetër kërkesë është një formë mbrojtjeje për gjuhën ruse, ndoshta duke e përfshirë atë në gjuhët kombëtare, por edhe kjo nuk duket e vështirë në një vend ku të gjithë flasin rusisht dhe rusët përbëjnë pothuajse 30 për qind të popullsisë.
Për në fund “denazifikimi”. Kjo e fundit është një kërkesë pa vend e Rusisë, sepse nuk ka nazistë në qeverinë ukrainase.
Zelensky është hebre dhe një pjesë e familjes së tij u zhduk në Holokaust. Por një ligj që ndalon partitë naziste dhe i dënon ato mund të mjaftojë. Aktualisht ekziston një parti e ekstremit të djathtë në parlamentin ukrainas, por ajo ka vetëm 1 për qind të vendeve.