Nje polic duke hapur deren per korrierin qe transporton me karroce dosjet e padive ne Strukturen e Posacme Kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, SPAK. Nje sere ceshtjesh te rendesishme qe prekin edhe aktore te politikes jane kallezuar se fundmi ne SPAK. /r/n/r/nA police officer opens the door to a courier transporting by cart the files of lawsuits in the Special Structure Against Corruption and Organized Crime, SPAK. A series of important issues that also affect political actors have recently been reported to SPAK.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tetë të pandehur të akuzuar për një skemë korrupsioni me banesat sociale në zonën e Spitallës, Durrës.

Sipas SPAK, të pandehurit, përmes ndikimit të paligjshëm dhe premtimeve për përfitime banesash sociale, kishin ngritur një skemë të mirëorganizuar korrupsioni. Ata u prezantuan si punonjës me funksione drejtuese në administratën shtetërore dhe kërkonin shuma të mëdha parash nga personat e interesuar. Hetimet zbuluan se këto shuma varionin nga 5,000 deri në 15,000 euro për secilin rast.

Në mesin e të pandehurve janë Gezim Sylaj, Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, të cilët akuzohen për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe për përfitime të tjera të paligjshme. Ndërkohë, tre persona të tjerë, Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Sokol Sylaj, akuzohen për dhënie ryshfeti për të përfituar banesa sociale.

Sipas akt-akuzës, një bashkëpunëtor i emisionit investigativ “Fiks Fare” dokumentoi me prova skemën, ku një prej të pandehurve i premtoi përfitimin e një banese sociale kundrejt shumës prej 15,000 euro.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet dhe ka dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, procedimin penal me Nr. 11 të vitit 2023, në ngarkim të 8 të pandehurve:

Gezim Sylaj, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;

ii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj (në episodin e subjekteve Gazmend Panxha dhe Shyqyri Dema), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;

iii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në dëm të subjektit Sokol Sylaj, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katërt i Kodit Penal.

iv. “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal.

Vasil Karasaliu, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal.

3. Viola Mema, e akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:

i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Vsail Karasaliu, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;

ii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, (në episodin e subjekteve Gazmend Panxha dhe Shyqyri Dema), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal.

Behare Luzi, e akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Vsail Karasaliu, Viola Mema dhe Enxhi Çelaj (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;

ii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Viola Mema dhe Enxhi Çelaj, (në episodin e subjekteve Gazmend Panxha dhe Shyqyri Dema), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal.

Enxhi Çelaj, e akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Vsail Karasaliu, Viola Mema dhe Behare Luzi, (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;

ii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Viola Mema dhe Behare Luzi (në episodin e subjekteve Gazmend Panxha dhe Shyqyri Dema), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal.

6. Ndërsa 3(tre) të pandehurit e tjerë Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Sokol Sylaj, të akuzuar për konsumimin e elementëve të veprës penale:

i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Sipas akteve të administruara për këtë procedim penal, ndër të tjera, edhe informacioni paraprak i depozituar nga redaksia e emisionit investigativ “Fiks Fare” në televizionin kombëtar “Top Channel”, jemi vënë në dijeni se një bashkëpunëtor i këtij emisioni gjatë muajit Janar 2023, ka mundur të realizojë disa takime me të pandehurin Vasil Karasaliu (punonjës pranë Ujësjellës Kanalizime në Durrës), i cili, i ka premtuar përfitimin e një banese sociale në zonën e Spitallës Durrës, kundrejt dhënies si shpërblim të shumës prej 15,000 euro.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar dhe provuar se të pandehurit Gezim Sylaj, Vasil Karasliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj kishin ngritur skemën e përfitimeve të paligjshme, duke u prezantuar si punonjës me funksione drejtuese në administratën shtetërore, të cilët kishin dhe mundësi vendimmarrjeje në dhënien e banesave sociale që ndodheshin në zonën e Spitallës, Durrës, personave të interesuar, kundrejt shumave monetare, që sipas tyre do shërbenin për bllokimin e banesës përmes dhënies së “kafeve” ndaj të tretëve.

Personat e interesuari për banesë sociale, përveç pagesës paraprake të shumës monetare do vijonin t’iu dorëzonin të pandehurve dokumentacionin për vijimin e procedurës standarde të përfitimit të banesës sociale. Më pas, sipas tyre, personave të interesuar do tu dërgohej një SMS konfirmimi nga ana e Bashkisë Durrës, periudhë kur sipas tyre do bëhej shpallja e fituesve dhe në banesë do futeshin pas disa muajsh. Pas këtij momenti, përfituesi i banesës sociale detyrohej që të paguante një qera minimale për disa vite, shumë e cila do të vlerësohej në bazë të sipërfaqes për m2 që do përfitonte.

Të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mes datave 01.02.2023-01.03.2023 kanë kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt respektivisht në 4 episode, ndaj disa subjekteve (agjentit në mbulim, si dhe ndaj tre subjekteve të tjerë), shuma monetare  që variojnë nga 5 000 deri në 10 000 euro, tek të cilët kanë siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike për të mundësuar përfitimin e një banese sociale në Durrës.

Ndërsa, të pandehurit e tjerë, Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Tahir Sylaj, provohet se u kanë premtuar dhe dhënë drejtpërdrejt respektivisht të pandehurve; Gezim Sylaj, Vasil Karasliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, shumat monetare (në vlerën mbi 50.000 lekë), të cilët u kanë premtuar ose u kanë siguruar atyre se janë në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, për të përftuar banesa sociale.

Ndodhur para situatës kur të pandehurit Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Tahir Sylaj, nuk kanë lidhur më parë marrëveshje bashkëpunimi, kryerja e veprimeve të mësipërme, i ngarkon me përgjegjësi penale sa i përket premtimit dhe dhënies drejtpërdrejt të shumave monetare në vlerën mbi 50.000 lekë, të pandehurve Gezim Sylaj, Vasil Karasliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, në këmbim të përftimit të banesave sociale duke konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Falenderojmë median për raportimin e rasteve të korrupsionit dhe nxisim qytetarët të denoncojnë cdo rast që është në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.