Durrësi është kthyer në një kantier ndërtimi, ku kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ka dhënë qindra leje ndërtimi për pallate e resorte.

Aq sa edhe ato pak vende historike janë zhdukur, të mbushura me ndërtime. Ndërkohë, situata më kaotike është në zonën bregdetare, duke filluar nga Kepi i Rodonit, Gjiri Lalzit, Currilat e për të përfunduar te Shkëmbi i Kavajës. Ndërtimet, pastrimi i plehrave, rrugët me gropa apo edhe ujërat e zeza janë “hallet” e përditshme të durrsakëve, të cilët gdhihen e ngrysen me pluhur dhe zhurma.

Por, a ka të njëjta halle kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako? Jo, pasi në gjithë këtë amulli, ajo mendon për dekore dhe për fasadë. Nga ato që përdor rëndom kryeministri apo edhe homologu i saj i Tiranës, të cilët mendojnë më shumë për propagandën sesa për hallet e qytetarëve. Megjithatë, Sako mund të ketë edhe një hall tjetër, që këto para t’ia japë të njëjtës firmë që ka fituar edhe në vitet 2020, ’21 dhe ’22. Madje, në shumicën e rasteve, edhe pa garë dhe me flamur të kuq.

BoldNews.al shfletoi dhjetëra dokumente të tenderëve të Bashkisë së Durrësit për bërjen e dekorit në atë qytet, të firmosura nga Sako dhe vartësit e saj. Po e nisim nga shpallja e tenderit në vitin 2023. Sipas dokumenteve që ka siguruar redaksia jonë, Sako ka hapur tenderin me objekt “blerje dekori për festat e fundvitit”. Në këtë rast, autoriteti kontraktues është Ndërmarrja Rruga Durrës, e cila ka dhënë një fond prej 12,500,000 lekë të rinj. Tenderi do të realizohet në muajin tetor të këtij viti.

Por, sa ka qenë fondi i akorduar nga e njëjta bashki në të kaluarën? BoldNews.al shfletoi dokumentet e tenderit të vitit 2022, ku fitues ka dalë firma “Iceberg Communication”. Objekti i kontratës ishte “blerje dekori i vitit 2022”, teksa sasitë dhe kohëzgjatja e kontratës ishte sipas kërkesës së Bashkisë së Durrësit. Në tender ka marrë pjesë vetëm firma “Iceberg Communication”, e cila ka dhënë një ofertë prej 9.739.600 lekë pa TVSH. Por, a do të jetë fituese e njëjta firmë edhe në tenderin e vitit 2023? Nisur nga procedurat e hartuara edhe në vitet e mëparshme, duket se edhe këtë vit, fitues do të jetë e njëjta kompani!

Për tri vite me radhë, firma “Iceberg Communication” është shpallur fituese e tenderit të dekorit të Bashkisë së Durrës. Në vitin 2021, pati një garë formale. Objekti ishte “dekori i vitit 2021”, teksa “Iceberg …” ofroi 8.150.000 lekë pa TVSH. Në procedurë mori pjesë edhe “Primes Albania”, e cila kishte një ofertë 8.258.400 lekë. Oferta e dytë u s’kualifikua, pasi firma “nuk paraqiti mostrat”. Në fakt, ka dyshime se dokumentet e tenderit i janë përshtatur firmës fituese në tri vitet e mëparshme, e cila ka stok edhe materialet e përdorura edhe në të kaluarën.

Duket se gjithçka është e paracaktuar, pasi paratë shkojnë te e njëjta dorë, ndërkohë që fondi nga viti në vit po shtohet. Edhe në vitin 2020 fitues ishte e njëjta firmë, ku fondi ishte 9.950.000 lekë pa TVSH. Madje, edhe në atë vit, fituesi “garoi” me veten.