Tre shqiptarë, të moshave 20, 24 dhe 31 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet me dije kanë rënë në prangat e Policisë italiane pasi u kapën në tentativë për të grabitur një banesë në Montebello. Tre “skifterët” shqiptarë kishin hyrë në banesë nga dritarja, por atëherë kur mendohej se do të kryenin vjedhjen, erdhi Policia.
Autoritetet mbërritën pas një telefonate të marrë nga fqinjtët, të cilët kishin parë shqiptarët. Me të parë Policinë, ata tentuan të fshiheshin në ballkon, por tentativa dështoi. Ata u kapën dhe u shoqëruan në komisariat. Policia ndërhyri fiks në momentin që tre të rinjtë kishin hapur kasafortën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një çantë që kishte brenda një sërë mjetesh që përdoren për vjedhje. Po ashtu u gjetën bizhuteri të vjedhura së fundmi nga banesa dhe sende të tjera që ishin vjedhur me parë, për të cilat do të kryhen hetime për zbardhjen e origjinës së tyre. Gjatë kontrolleve u konstatua, një prej shqiptarëve kishte një masë sigurie në 2022 të dhënë nga gjykata e Perugias.