Politikat e dyshimta të blerjeve të energjisë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) vazhdojnë të rëndojnë mbi xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Të dhënat e fundit tregojnë se çmimet e blerjes së energjisë nga KESH janë dukshëm më të larta se ato të tregut evropian, duke krijuar diferenca të mëdha financiare që ngjallin dyshime për abuzim dhe ndërmjetësime të dyshimta.
Për datat 15-19 Janar, çmimi i energjisë në Bursën Evropiane EEX ishte 137.9 Euro/MWh, ndërsa KESH ka blerë energjinë për të njëjtën periudhë me një çmim prej 170.83 Euro/MWh. Diferenca prej 32.9 Euro për megavat/orë rezulton në një humbje totale prej 394,800 euro vetëm për sasinë prej 12,000 MWh të blerë.
Situata është edhe më alarmante për periudhën 6-12 Janar. Diferenca mes çmimit të bursës dhe çmimit të blerjes së KESH-it ishte 28 Euro/MWh, me një sasi totale prej 33,600 MWh. Humbjet për këtë periudhë shkojnë në 940,800 euro, duke e çuar koston totale të abuzimeve në miliona euro për vetëm disa ditë.
Këto shifra dëshmojnë se diferencat në çmim nuk janë thjesht pasojë e tregut, por rezultat i një sistemi të dyshimtë blerjesh ku ndërmjetësuesit dhe sekserët përfitojnë në kurriz të qytetarëve.
Përfitimet e këtij sistemi korruptiv janë aq të mëdha, sa që vetëm me shumën e humbur për këto dy periudha do të kishte qenë e mundur ulja e çmimit të energjisë për familjet shqiptare me të paktën 0.5 lekë për kilovat/orë gjatë muajit Shkurt.
Kupola e KESH-it, e ndihmuar nga sekserët e shitjes së energjisë elektrike, duket se ka krijuar një sistem të mbyllur dhe të paqartë që favorizon klientelizmin dhe jo interesin e qytetarëve.
Ndërkohë, familjet shqiptare përballen me fatura gjithnjë e më të larta, ndërsa paratë publike shpërdorohen në transaksione të dyshimta.
Kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet e drejtësisë për të hetuar përgjegjësit dhe për të ndalur këtë zhvatje që po ndodh në kurriz të shqiptarëve.
Transparenca dhe llogaridhënia mbeten të domosdoshme për të ndaluar këto praktika abuzive që rëndojnë mbi ekonominë e vendit./gazetajonë