Departamenti i Tregtisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bllokoi importin e dyshekëve nga kompania e vëllezërve Devolli për shkak të shitjes nën kosto.
“Departamenti Amerikan i Tregtisë përcakton paraprakisht se dyshekët nga Kosova po shiten, ose ka të ngjarë të shiten në Shtetet e Bashkuara me më pak se vlera e drejtë (LTFV),” thuhet në njoftimin zyrtar të Departamentit.
Vendimi erdhi pas një hetimi një vjeçar, që përfshiu periudhën nga korrik 2022-qershor 2023. Sipas hetimit rezultoi se dyshekët e eksportuar nga kompania Ventius International LLC në pronësi të vëllezërve Devolli janë shitur me nga 62 deri në 344 për qind më pak se vlera e drejtë.
Për shkak të këtij përfundimi, Dogana e Shteteve të Bashkuara u urdhërua të bllokojë importin e dyshekëve nga kompania kosovare deri në vendimin final. Po kështu dogana e SHBA-ve do të mbledhë nga importuesit të dhënat për të gjitha sasitë e importuara deri më tani për të vlerësuar detyrimet antidumping që duhet të paguhen.
Hetimet antidumping për dyshekët nga Kosova filluan pasi 10 prodhues amerikanë të dyshekëve dhe dy sindikata që përfaqësonin punëtorët në fabrikat e dyshekëve në SHBA, paraqitën peticione antidumping si në Departamentin ashtu edhe në Komisionin e Tregtisë Ndërkombëtare të SHBA më 28 korrik 2023.
Përmes peticionit prodhuesit amerikanë pretendonin se importet e dyshekëve nga Kosova dhe disa vende të tjera shiteshin në Shtetet e Bashkiaka me çmime të padrejta duke i shkaktuar dëme materiale industrisë së SHBA-ve.
Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi se do të pranojë komente ligjore dhe faktike nga palët e interesuara në lidhje me këto përcaktime paraprake.
Bazuar në këto komente, Departamenti i Tregtisë do të vendosë në përcaktimet e saj përfundimtare të detyrimeve antidumping nëse do të rrisë ose ulë marzhet e mësipërme të detyrimeve antidumping.