Dy javë më parë, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë kishte paralajmëruar për rrezikun e sulmeve terroriste në vende të mbushura me njerëz.

Presidenti Vladimir Putin ishte gjithashtu i vetëdijshëm për paralajmërimin nga shërbimet amerikane të sigurisë, por e kishte refuzuar paralajmërimin, duke e cilësuar atë “shantazh të qartë nga Perëndimi në përpjekje për të destabilizuar shoqërinë tonë”.

Paralajmërimi i ambasadës amerikane kishte për qëllim qytetarët amerikanë. “Disa ekstremistë duket se po planifikojnë sulme”, deklaroi ambasada, pa specifikuar matricën e terroristëve të mundshëm. Njoftimi u shfaq më 8 mars dhe konsideronte akte terroriste të mundshme “në 48 orët e ardhshme”.

Edhe ambasada italiane, në bazë të informacioneve të marra nga amerikanët, kishte lëshuar nga ana tjetër një “alarm” duke këshilluar italianët e pranishëm në Moskë të qëndronin larg vendeve veçanërisht të mbushura me njerëz.

Ndërsa, tashmë, lajmi ka marrë xhiron e botës dhe nga sa kuptohet, kemi të bëjmë me një akt të pastër terrorizmi, ku të përfshirë për zbardhjen janë FSB-ja ruse dhe Garda Kombëtare.

Shërbimet e inteligjencës në Moskë kanë nisur punën menjëherë, teksa grupet speciale kanë hyrë në Pallatin e Koncerteve në Crocus, ku edhe ngjarja ndodhi.

Nga ajo sa kuptohet deri tani, katër persona të armatosur deri në dhëmbë, me veshje të specializuara ushtarake, kanë hyrë në një sallë koncertesh dhe kanë qëlluar kë t’i dalë përpara, duke lënë të paktën 40 të vdekur nga sa raportohet deri tani dhe me qindra të plagosur.