Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur “non-grata” për korrupsion disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, ndër ta edhe ish-kryeprokuroren Katica Janeva.

Janeva është dënuar me 7 vite burg për çështjen “Reket”, pasi mori rreth 1.5 milionë euro rryshfet së bashku me dy persona të tjerë, për të mos hetuar një biznesmen maqedonas.

DASH thotë se zyrtari tjetër nga Maqedonia e Veriut i futur në “listën e zezë” është kryetari aktual i Karposhit, Stevço Jakimovski.

Ndërsa në Kosovë, është shpallur “non-grata” Xhabir Zharku, ish-kryetari i Kaçanikut. Ky i fundit, si kryetar i komunës së Kaçanikut i kishte dhënë leje vetes për ndërtimin e godinave banimi dhe biznese në vitin 2008.

Njoftimi  plotë i DASH:

Sot, Departamenti Amerikan i Shtetit shpall (non-grata) ish-kryeprokuroren speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva; kryetari aktual i Karposhit, Maqedonia e Veriut, Stevço Jakimovski; dhe ish-kryetari i Kaçanikut të Kosovës, Xhabir Zharku. Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse.

Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, Janeva ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj.

Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Karposhit, Maqedonia e Veriut, Jakimovski ishte përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Kosovë, Zharku ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Këto emërtime riafirmojnë përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin. Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht.