Shefi i Urgjencës, pranë QSUT Profesori i Asociuar, Eqerem Hasani ka treguar se kush janë rastet që kanë shkuar në urgjencë natën e ndërrimit të viteve.

“30 raste janë paraqitur në urgjencë natën e ndërrimit të viteve. Flukset nisin pas orës 00:00 dhe vijojnë deri në orën 12:00 të 1 janarit” tregon ai.

Pacientët i drejtohen urgjencës kryesisht për të bërë lavazh. Por a ka pasur më shumë femra apo meshkuj?

“Raporti është 3 meshkuj me 1 vajzë . Por vajzat e dehura janë shumë agresive edhe në fjalor, ndërsa burrat e dehur janë të dhunshëm fizikisht” deklaroi mjeku i urgjencës Eqerem Hasani i ftuar në emisionin “Ditë e Re”.

Doktori shpreh shqetësimin për ardhjen e pacientëve të cilët anashkalojnë qendrat shëndetësore për tu vizituar në urgjencë duke krijuar vështirësi.

“Ka ardhje të pajustifikuara në urgjencë. Unë po i bëj apel edhe sot, që pacientët me temperature 37.8.duhet të drejtohet në qëndrat shëndetësore dhe jo në urgjencën tonë. Aty bllokohen hapësirat fizike dhe jo vetëm. Nga këto raste kemi çdo ditë dhe janë të përsëritura. Duke ardhur me problematika të vogla e që vijnë nga rrethet janë të pa justifikuara”, ka deklaruar shefi i Urgjencës.

Cilat janë rastet që duhet ti drejtohen urgjencës?

Rastet me hemoragji, ato me tension të lartë, me diabet apo gjakderdhje. Këto janë raste të cilat absolutisht duhet të paraqiten në urgjencë. Dhe këto rastet e pajustifikuara shkaktojnë dhe mbingarkesë dhe kemi vendosur pacientët edhe në korridore në barrela sepse na bllokohen ambientet.