Nëse ke veturë në Shqipëri, më hesap ke të dalësh jashtë kufijve të Shqipërisë për t’u furnizuar me derivate, përveç nëse do që t’ua paguash ‘haraçin’ oligarkëve si Shefqet Kastrati (35 lekë në litër). Në mbrojtje tënden doli deputeti i PD-së Dashnor Sula, por jo mediat e kapura nga Qeti dhe qetët e tjerë – të ashtuquajturit “Mafia e Naftës”.
Katër muaj më parë, Gazeta Nacionale, kishte raportuar se si Shefqet Kastrati dhe Edi Rama, po i “djegin” qytetarët me benzinë.
Hetimi mbi dyshimet për kontrabandim i bëri edhe deputeti Sula, i cili më pas përmes një shkrimi publikoi përgjigjet që kanë ardhur nga Drejtoria e Transportit Rrugor dhe AKB-ja. Ndërkohë që shkrimin e quajti “Hije skandali me naftën në Shqipëri”.
Sula gjeti se më 2011, 410 mijë vetura në Shqipëri shpenzuan 570 mijë tonë karburant. Ndërsa më 2021, numri i veturave ka shkuar në 710 mijë ndërsa shpenzimi i karburantit ka rënë në 536 mijë tonë karburant.
“Në vitin 2012: 394.447 automjete të regjistruara. Ndërkohë sasia e naftës së importuar 539.085.234 litra ose e thënë ndryshe mbi 539 mijë ton karburant të importuar.
Nuk po i marrë me radhë të gjithë vitet sepse janë në këtë dokument sepse i gjeni në tabelat përkatëse më poshtë, por po shkoj tek viti 2021.
Rezultojnë 740.669 automjete të regjistruara, ndërkohë sasia e karburantit të importuar është 536.025.971 litra ose e thënë ndryshe 536 mijë ton karburant” – shkruan Sula.
Skandali për të cilin raportoi Nacionale para katër muajsh
Kosova me më pak se 2 milionë banorë, brenda një viti importon mbi 700 mijë tonë naftë, kurse Shqipëria me rreth 3.5 milionë banorë dhe me numër enorm të turistëve, brenda vitit importon rreth 600 mijë tonë me naftē. Si është e mundur kjo dhe cilat janë pasojat? Lexojeni më poshtë.
Nafta e importuar ilegalisht, ose që futet në mënyrë ilegale, duke mos i paguar tatimet, ku shitet? Çdo shqiptar, për secilën litër naftë të blerë këto ditë i paguan pak më shumë se 1 euro taksa, përfshirë këtu edhe të ashtuquajturën taksë rrugore. Këtu është edhe fitimi i madh i kontrabanduesve.
Ata i ngarkojnë shqiptarët me tatime dhe taksa, për naftën e vjedhur, ndërsa kjo nuk shkon fare në buxhetin e shtetit. Përkundrazi, sa më shumë që rritet çmimi i naftës në bursë, aq më shumë rritet taksat e naftës me pakicë, që do të thotë aq më e madhe është plaçka.
Pra, një vend me rreth 3.5 milionë banorë, me një turizëm masiv gjatë muajve të verës, ka importuar naftë më pak se sa një vend me rreth 1.7 milionë banorë. Dikush në Shqipëri më tha që ky vend edhe e prodhon një sasi të limituar të naftës, por që edhe pas të gjitha gënjeshtrave që mund të bëhen mbi gjoja prodhimin, askush nuk mund të thotë që prodhimi i kalon 100 mijë tonë në vit. Kështu, në përgjithësi, me dokumentacion, në variantin më optimist, në Shqipëri thuhet, ose paguhet tatime, akciza, taksë e ambientit, TVSH, për 600-700 mijë tonë naftë në vit. Kaq paguan edhe Kosova, për përgjysmë më pak banorë.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të deputetit Dashnor Sula:
Shqipëria prej kohësh rënditet si një ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në Evropë sepse Ballkanin e kemi lënë pas me kohë. Në mënyrë të vazhdueshme e kam ngritur këtë shqetësim në çdo dritare të mundshme.
Së fundmi vendosa të bëj një investigim të thjeshtë më sektorin e karburanteve: Si deputet i Shqipërisë i kërkova informacion Drejtorisë së Transportit Rrugor të më vendoste në dispozicion numrin e automjeteve të regjistruara në Shqipëri nga viti 2011 e deri në vitin 2021. Ndërkohë duke qenë se në naftën që nxjerr AlbPetrol e eksporton të gjithën jashtë për ta përpunuar, kërkova nga Drejtoria e Doganave të më vendoste në dispozicion sasinë e karburantit të importuar gjithashtu që nga viti 2011.
Gjithashtu kërkova nga AKBN që të më vendosnin në dispozicion sasinë e naftës së nxierrë nga Albpetrol.
Përgjigjet që më kanë ardhur krijojne një hije të fortë dyshimi për një megaskandal.
Në vitin 2011: 410.629 Automjete të regjistruara në Shqipëri, ndërkohë sasisa e karburantit të importuar ka qenë 570 milionë e 441 mijë e 945 litra. Pra mbi 750 mijë tonë karburantë të importuar.
Në vitin 2012: 394.447 automjete të regjistruara. Ndërkohë sasia e naftës së importuar 539 milionëe 85 mijë e 234 litra ose e thënë ndryshe mbi 539 mijë tonë karburant të importuar.
Nuk po i marrë me radhë të gjithë vitet sepse janë në këtë dokument sepse i gjeni në tabelat përkatëse më poshtë, por po shkoj tek viti 2021.
●Rezultojnë 740.669 automjete të regjistruara, ndërkohë sasia e karburantit të importuar është 536 milionë e 25 mijë e 971 litra ose e thënë ndryshe 536 mijë tonë karburant.
Sakaq nga AKBN po paraqes sasinë e naftës bruto të nxjerrë nga burimet shqiptare.
Në vitin 2011 Albpetrol nxirrte 835.610 tonë naftë të paperpunuar.
Ndërkohë në 2021 rezulton se nga burimet Shqiptare është nxjerrë 625.051 tonë karburant.
Nëse analizojmë të dhënat e mësipërme mes vitit 2011 dhe vitit 2021 rezulton se numri i automjeteve të regjistruara në Shqipëri në vitin 2021 gati është dyfishuar, ndërsa sasia e naftës së importuar është më e ulët sesa në vitin 2011. Të dashur qytetarë, në analizë nuk kam marrë numrin e zitorëve, apo traktorëve me zinxhir që përdoren nga kompanitë e ndërtimit e që harxhojnë 10 fish të naftës.
Kur në 2021 që kemi thuajse dyfishin e numrit të automjeteve që kishim në vitin 2011, si ka mundësi që importojmë më pak naftë sesa në vitin 2011. Nga e gjejmë ne naftën për të vendosur në lëvizje automjetet. A mos ka hyrë kjo naftë kontrabandë.
Apo mos ndoshta nga puset e naftës në Shqipëri është nxjerrë e njëjta sasi por një pjesë e saj futet në tregun vendas dhe qytetarët blejnë naftë “Ballshi” për naftë importi?
A mos kemi të bëjmë sërish me një supër skandal me shmangje nga detyrimet?
Unë uroj që prokuroria të ngrihet në lartësinë e detyrës e të marrë në konsideratë e të hetojë këtë rast. Ndërkohë unë personalisht nuk do ta lë më kaq por do t’i shkoj deri në fund kësaj çështje. Gjasat janë që të kemi miliona litra naftë të padeklaruara e detyrimisht ka një gropë të madhe të zezë në buxhetin e shtetit.