Nga Elona Caslli

Hapi i parë drejt integrimit evropian është korrektesa nga ana e institucioneve shqiptare në zbatimin e projekteve që mbështeten nga Bashkimi Evropian.

Institucionet përbëjnë fytyrën e një kombi dhe e përfaqësojnë veçanërisht këtë të fundit ,kur ndërveprojnë me institucione të vendeve të tjera. Letra e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Evropian, e cila njofton pezullimin e granteve për bujqësinë nga program IPARD në Shqipëri, për shkak të korrupsionit dhe mosrespektimit të procedurave ligjore nga AZHBR-ëja në shpërndarjen e tyre, është një kthim prapa i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian.

Fytyra e Shqipërisë përballë Bashkimit Evropian përshkruhet në një fjali të vetme: Burime nga Bashkimi Evropian kanë identifikuar raste ku fondet janë dhënë për investime fantazmë që nuk ekzistojnë.

Me pak fjalë, sharlatanët e pakorrigjueshëm në krye të institucioneve shqiptare kanë zbatuar logjikën e inceneratorëve në marrëdhënie me Bashkimin Evropian, vetëm se nga rasti në rast, ndryshojnë vetëm taksapaguesit. Në rastin e inceneratorëve janë taksapaguesit shqiptarë që paguajnë dhe në rastin e dytë taksapaguesit evropianë, për të cilët letra në fjalë shkruan: Për të mos lejuar abuzimin e mëtejshëm të fondeve dhe për të mbrojtur interesin e taksapaguesve të Bashkimit Evropian, ju njoftojmë se kemi vendosur të pezullojmë shpërndarjen e fondeve derisa autoritetet shqiptare të përmbushin kushtet dhe mangësitë e evidentuara.”

Nuk pezullohen vetëm fonde dhe projekte me Bashkimin Evropian, por pezullohen edhe marrëdhënie dhe traumatizimi i marrëdhënieve mes institucioneve përgjegjëse shqiptare dhe institucioneve në Bashkimin Evropian mbart një kosto shumë të madhe për Shqipërinë, pasi një marrëdhënie e traumatizuar do shumë kohë të rehabilitohet. Në bashkëpunime hipotetike në të ardhmen do të ketë pashmangshmërisht një tkurrje nga ana e Bashkimit Evropian, pasi do të jetë krijuar bindja e ngurtë se institucionet në Shqipëri zhvasin fonde dhe nuk bëjnë asgjë.

Si mund të flitet për integrim në Bashkimin Evropian kur institucionet shqiptare nuk kanë minimumin e shprehisë së protokollit institucional evropian gjatë zbatimit të një projekti?

Si mund të flitet për negociata me Bashkimin Evropian kur ky i fundit shkruan e zeza mbi të bardhë se fondet vidhen nga institucionet shqiptare dhe nuk bëhet asnjë investim?

Letra në fjalë ka mbërritur në Ministrinë e Bujqësisë, në Ministrinë e Financave, AZHBR dhe në Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. Institucionet në fjalë kanë titullarët përkatës të cilët janë në mënyrë direkte përgjegjës për fytyrën aktuale të Shqipërisë përballë Bashkimit Evropian.

Post Scriptum- Jemi dëshpërimisht larg Evropës dhe krejt të izoluar në papërgjegjshmërinë dhe provincializmin e skajshëm të institucioneve shqiptare.