Shëndetësia po lulëzon, por kjo vetëm në “Facebook-un” e ministres së Shëndetësisë dhe videot që prodhon ekipi i saj çdo ditë për ta servirur sikur po punon fort e ta meritoje deri në fund çmimin që i dha kryeministri pak kohë më parë “bleta punëtore”.
Por, në terren realiteti është krejt ndryshe, përtej fasadave, shëndetësia në vitin 2022 po lëngon. Nëse largohesh nga Tirana përballesh me mungesë mjekësh ku shërbimin e tij shpesh e ofron infermieri. Kjo konsiderohet zgjidhje për Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 2022. Për të mos folur për kushtet që kanë qendrat shëndetësore. Dhe nuk ndodh vetëm në zona të thella malore, por edhe në fshatra të Vlorës, në Maliq të Korçës, fshatra te Elbasanit, Lezhës dhe Bulqizës.
Në fshatrat e Vlorës ka vetëm një infermier, thjesht për ndonjë injeksion, për t’u vizituar duhet të faturosh taksi dhe të drejtohet në spitalin më të afërt. Kjo është kosto që rëndon jo pak në xhepin e banorëve.
Ndërsa në fshatra të Bulqizës duhet të sëmuresh në ditë të caktuara atëherë kur ndodh të shkojë mjeku. Madje, edhe infermieri nuk është i përditshëm.
E njëjta situatë edhe në Stërblevë të Librazhdit.
Dhe banorë të fshatrave të tjerë që nuk janë as një, 10 apo 20, por qindra. Ata sëmuren njëlloj si një banor në Tiranë apo në qytete të tjera ku nuk mund te themi se shëndetësia funksionon perfekt, pasi ka mungesa specialistesh, por të paktën gjen mjekë.