
Identifikohet autori i plagosjes me armë zjarri ditën e sotme në afërsi të një xhamie në zonën e Varrit të Bamit në Tiranë.
Ai është Saimir Xhafa i datëlindjes 1988, dhe Policia e Tiranës ka vendosur një shpërblim prej 5000 euro për këdo që jep informacion që mund të çojë në kapjen e tij.
Xhafa plagosi me armë zjarri një 51-vjeçar, për motive që nuk bëhen ende të ditura. I plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë:
Lidhur me ngjarjen e ndodhur pak më parë, në afërsi të xhamisë “Xhura”, shërbimet e Policisë pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Saimir Xhafa, i ditëlindjes 04.01.1988, banues në Tiranë.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.
