Pas disa orësh negociata, forcat speciale RENEA ekzekutuan 62-vjeçarin Ramiz Muçollari, i cili u ngujua në banesë dhe qëlloi ndaj efektivëve të policisë. Para se të mbyllej në shtëpi, ai plagosi gruan edhe djalin. Ngjarja ndodhi në fshatin Qesarakë të Maliqit.

Muçollari e goditi bashkëshorten, Pëllumbeshën, 58 vjeçe me mjet prerës në këmbë, ndërsa djalin, Kamberin, 27 vjeç, me mjet të fortë në kokë mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:00.

Pas kësaj, ai u mbyll në banesën e tij. Me vete kishte një armë zjarri me të cilën qëlloi edhe ndaj efektivëve të policisë. Fillimisht qëlloi mbi punonjësit e policisë së Maliqit. Për këtë arsye, efektivët mbajtën të rrethuar banesën dhe morën masa të larta sigurie.

Më pas, atje shkuan forcat speciale RENEA. Këta të fundit qëndruan për disa orë në banesën dykatëshe të Muçollarit dhe negociuan me të që të dorëzohet. Por 62-vjeçari nuk pranoi dhe vijoi të qëllojë edhe në drejtim të forcave të RENEA. Pas kësaj, u mor vendimi drastik për ekzekutimin e tij.

Perimetri i sigurisë u vendos i lartë për të mbrojtur kalimtarët pasi banesa lidhet edhe me aksin nacional Maliq-Korçë, por edhe sepse pranë shtëpisë së Muçollarit ka banesa të tjera pasi lagja është e banuar. Banorët e zonës u evakuuan nga policia.

Sa i përket gruas dhe djalit të 62-vjeçarit, ata janë dërguar në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas deklarimeve paraprake të tyre, dyshohet se Muçollari vuante nga probleme të shëndetit mendor.