Kryeredaktori i Syri.net, Leonard Quku, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, thotë se është shkarkuar në mënyrë kriminale.

Ai flet për presione familjare dhe sekuestrim kompjuteri.

Reagimi

Sqarim i detyruar:

Është e vërtetë që jam larguar nga detyra e kryeredaktorit të Syri.net pas rreth 2 vitesh punë intensive, kjo e shoqëruar paralelisht edhe me një angazhim 9 mujor te zyra e shtypit e PD (Rithemelimi). (Që të jemi të qartë, e kam bërë me dëshirë dhe pasion, nuk jam paguar dy herë. Nuk kam dashur që kjo çështje të bëhej publike për faktin e vetëm se nuk përbënte interes publik. Itinerari im i çdo dite është ai i njeriu të thjeshtë që sheh punën e tij.

Por, jo pak kolegë më kanë kërkuar të mbaj një qëndrim, të tregoj të vërtetën nisur edhe nga disa akuza dhe etiketime të padenja ndaj meje me autor personin që më hoqi nga puna. Pavarësisht nga padrejtësia që më bëri dhe kjo është alarmante kur një gazetar trajtohet në këtë mënyrë – por gjithsesi është diskutim që na merr shumë kohë dhe energji – kisha vendosur të mbaja të njëjtin profil që e mbaj prej më shumë se 1 dekade.

Fyerjet e tij i kam injoruar dhe vazhdoj t’i injoroj sepse ky person nuk ka asnjë lidhje me median e as nuk e di si funksionon media. Është emëruar aty nga dikush dhe i kanë dhënë edhe të drejtën, ndoshta, të marrë vendime të padrejta, të hedhë në rrugë njerëz pa shkak, pa paralajmërim e për më tepër refuzon të bëjë edhe likujdimet që ia ngarkon ligji. Është njësoj sikur brigadierin e kooperativës ta çosh të pilotojë avionin. Sa ka një brigadier lidhje me pilotimin aq ka zotëria në fjalë me median. Pra, fundi dihet, të marrin në qafë bashkë me veten.

Megjithatë, një koleg sot ka bërë edhe një postim në rrjetet sociale pa autorizimin tim dhe më duhet të bëj dy sqarime të vogla si më poshtë vijojnë:

Vendimi i njëanshëm për shkarkimin tim është marrë nga administratori i Syri.net dhe Syri Tv, Gazmir Spahija, pa motiv, pa paralajmërim dhe pa respektuar ligjin, Kodin e Punës. Ka patur presione, shtrëngime dhe dhunë psikologjike të vazhdueshme nga zotëria në fjalë ndaj meje dhe familjes time. Unë dhe ai e dimë të vërtetën e gjithçkaje. Ça i kujton zotërisë data 29 Maj, ora 17:10?

Pse u sekuestrua kompjuteri im i punës me urgjencë dhe u fshi user-i im i lajmeve? Këto janë të dokumentuara. Imagjinoni mua nuk më jepet kontrata e punës dhe urdhri i emërimit në punë nga ky zotëri i cili nuk guxonte të bënte urdhrin e shkarkimit duke iu përmbajtur asaj që bëri me vetëdije. Gjithsesi unë do të ballafaqohem në gjykatë me të personalisht dhe do të jenë institucionet ato që do të vendosin se kush ka të drejtë.

Zotëria ka përgjegjësi ligjore të ngarkuar dyfish tashmë edhe për shkak të një dokumenti të fabrikuar prej tij, edhe ky i bërë publik nga palë të treta pa miratimin tim, sikur unë kam braktisur vendin e punës(!). Në media kam një përvojë 15-vjeçare, kam ndryshuar disa redaksi gjatë këtij harku kohor, kam njohur pronarë e drejtues, sikurse kam kontakte dhe gëzoj respektin e një duzine kolegësh të shkëlqyer. Unë pres dhe shpresoj që zotëria të ketë reflektuar dhe të tërheqë pas termat e padenjë që përdor ndaj meje e sa për pretendimet e mia apo të atij, ka institucione që i gjykojnë, gjykimi bëhet mbi bazë provash, jo thashethemesh nëpër korridore apo zyra.

Nëse ka burrni të vijë dhe të ballafaqohet me mua para gjykatës. Por dyshoj se është kaq i guximshëm prandaj edhe ka zgjedhur të veprojë me makinacione të turpshme. Sa për Syri.net dhe Syri Tv, aty kam kolegë të shkëlqyer dhe do vazhdoj t’i kem të tillë pavarësisht nga presionet e brigadierit të tatimeve që nuk le bisedë ËhatsApp-i pa ua përgjuar!

Në disa redaksi gazetash përfshi gazeten Tema, ka qarkulluar një email lidhur me një skandal seksual në redaksinë e Syri.net. Gazetari në fjalë flet me një gjuhë të koduar lidhur me një datë dhe orë të caktuar por nuk thotë gjë më tepër.

Kaq për sot!

Në disa redaksi gazetash ka qarkulluar një email lidhur me një skandal seksual në redaksinë e Syri.net. Gazetari në fjalë flet me një gjuhë të koduar lidhur me një datë dhe orë të caktuar por nuk thotë gjë më tepër.