Nga Mero Baze

Janë tre vila ngjitur në Rolling Hills, lagjia e të pasurve të Tiranës. Vila 99 është e Agim Zeqos, që njihet me nofkën “Gimja i Red Bullit”, Vila 97 është e motrës së tij, që dikur ka pasur burrin drejtor tatimesh si xhandar të Saliut për të gjobitur kundërshtarët.

Në mes është vila 98. Me letra pronar rezulton Ilir Shtufi, “investitori” i kullës në qendër të Tiranës. Praktikisht banor i vilës është Shkëlzen Berisha.

Vila edhe pse ka roje sigurie, rezidenca sigurohet nga roje private.

Nuk është ndonjë problem i madh se të gjithë e dimë që Shkëlzeni ka lekë për më shumë se një vilë si ajo.

Problemi është tek fshehja e pasurisë së njerëzve që merren me politikë. Në praktikën e tij jo dhe aq shumë inteligjente, ai është bazuar tek fshehja e pronave tek një rreth i ngushtë njerëzish, që janë gjithsej 3 deri 4 vetë, të cilët marrin përsipër të kenë emrin tek certifikata e pronave të tij në bregdet dhe vilat ku jeton.

Po ta shikosh kompozimin e “Mëhallës së Kullës” që jeton brenda Rolling Hills, aty janë të gjithë, “Gimja”, Sandri, Ilir Shtufi i vërtetë, që është Shkëlzeni, ai që heq dherat, dhe të tjerë partnerë të here pas hershëm të grupit të kullës.

Meqenëse gjithë debati është rreth Shkëlzenit dhe babait të tij “parimor”, tani ai duhet të bëjë publike marrëdhëniet e tij me vilën që jeton në “Mëhallën e Kullës”.

Nëse ja ka marrë me qira Ilir Shtufit, të na tregojë kontratën e qirasë. Nëse ai ja ka dhuruar si njeri i varfër, të na e tregojë që i është dhuruar.

Vila e Shkelzen Berishes në Rolling Hills dhe foto te postuara nga vet gruaja e tij Armina Mevlani nga mjedise te vilës që është në emër të Ilir Shtufit.

Por SPAK për fat ka krijuar një precedent shumë të ashpër në këtë drejtim.

Ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja, një njeri që për hir të së vërtetës nuk e kam dëgjuar të jetë përfshirë në afera korruptive, edhe pse nuk vë dorën në zjarr, po dënohet me burg, pasi vetingu ka zbuluar se në një apartament modest në plazh, në emër të vëllait të tij, është provuar se ky paguan ujin dhe dritat në emër të vet dhe i është konsideruar fshehje pasurie. Shumë e ashpër është, por tani është precedent.

Arben Ahmetajt i janë zbuluar nga SPAK dy vila, njëra në emër të shoqes së ish- gruas, për të cilën SPAK thotë se ka prova se ujin dhe dritat i ka paguar ish- gruaja e tij, dhe i konsiderohet pronë asaj, ndërsa vila tjetër në Hamallaj e blerë nga partnerja aktuale, i quhet po ashtu problem se është i përfshire në transaksione një shok i tij.

Tani Shkëlzen Berisha fle fizikisht në vilën 98 në Rolling Hills.

E dëgjova që ju “përgjigj” Edi Ramës, pa ja kërkuar ky i fundit, rreth debatit për kullën, kur i tha, “anullo lejen ose haje”, për t’i treguar se ai nuk ka gisht tek kulla.

Meqë çështja e kullës është çështje e ndjeshme politike, për shkak të përfshirjes së tij në atë histori, së pari SPAK duhet të hetojë me metodat tashmë të perfeksionuara të tij, se kush banon në vilën nr. 98 në Rolling Hills. Aty janë kamerat e sigurisë, aty janë rojet, aty është administratori i Rolling Hills, aty është komshiu “Gimja” dhe fisi i tij, aty janë gjithë ortakët e fshehtë dhe të hapur të kullës. Madje po shkoi sonte mund ta gjejë dhe atë vet aty. Kjo nuk ka më dyshime.

Dyshimet që duhet të provojë SPAK, kanë të bëjnë me faktin, nëse djali i Sali Berishës fle në një vilë që është në emër të pronarit formal të kullës, por që është e tij, si shumë biznese të Shtufit, apo Shtufi ja kë lënë vilën që të ketë afër “Gimen”, që të diskutojnë modalitetet e kullës, meqë është njeriu që ka mundësuar lejen.

E vërteta është se kjo histori e ka përbaltur më shumë se sa duhet Edi Ramën, edhe pse ai do hyjë në historinë politike të Shqipërisë, si politikani më antitaliban i vendit, por që fatkeqësisht talibanët e përdorën për të zaptuar qendrën e Tiranës, siç përdor ISIS ligjet e Perëndimit për demokraci, për të hedhur në erë Perëndimin.

Dhe ai ka dhënë një leje me konkurs ndërkombëtar, me prezencë perëndimore dhe arkitekt të njohur, për ISIS tonë. Dhe hera herës ngjan si Fan Noli që i binte flautit, ndërsa zogistët marshonin drejt Tiranës.

Gjithë “Mëhalla e Kullës” janë fqinjë dhe në Rolling Hills. Nuk di a i ka bashkuar kulla, apo ngaqë kanë qenë bashkë, kanë vendosur të bëjnë kullën.

Ndaj para se sa SPAK ta bëjë këtë hetim për fshehje pasurie, është mirë që Shkëlzeni të thotë me gojën e tij pse jeton aty dhe a është kjo e vetmja pronë e Shtufit që ai përdor si të vetën.

Dhe pastaj “ose ta mbajë, ose ta hajë”, vilën e “pronarit” të kullës ku jeton si në shtëpinë e vet. /Gazeta TemA