Është rritur sërish numri i personave të vrarë në Turqi dhe Siri pas dy tërmeteve të fuqishme që ranë ditën e djeshme. Numri total i viktimave në të dyja vendet ka shkuar në 7,266. Kjo vjen pasi ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca konfirmoi se numri i viktimave në Turqi është rritur në 5,434.
31 777 kanë mbetur të lënduar, tha ministri.
Ndërkohë, deri më tani janë raportuar më shumë se 1800 viktima në Siri. Në Siri të paktën 3,849 persona janë plagosur, 1,449 në zonat e kontrolluara nga qeveria e Sirisë dhe 2,400 në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga opozita sipas Helmetave të Bardha.

Ndërkohë, presidenti turk Erdogan ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj. Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilisi.