Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish sot pas shkrimt të botuar dje në gazetën austriake “Kronen Zeitung” që pretendon për një histori lobimi në SHBA përmes një kompanie “offshore”. Kreu i shtetit thotë se është një histori e rifabrikuar dhe se do ta çojë në gjyq. Ai mohoi që të ketë lobuar duke paguar 700 mijë dollarë për një foto me Donald Trump dhe u kujtoi qytetarëve se një gjë të tillë e kanë bërë Edi Rama dhe Lulzim Basha.

Ç’koment të kem unë për këto mjerime të rilindjes. E kam parë atë shkrim pa emër për presidentin e një vendi. Shkrimi është një ripërtypje në publik e disa shkrimeve të “Father Jones” për të cilën përsa i takon LSI-së, keni deklaratë nga zëdhënësi i saj, zoti Sulçe. Që në 3 maj 2018 një gazetar më ka bërë pyetje për këtë cështje dhe përgjigja është e qartë që është një mashtrim totalisht.

Unë kam marrë pjesë si kryetar i parlamentit, me ftesë të komitetit organizator të ceremonisë, gjithçka është e verifikueshme dhe nuk kemi lidhje me atë mashtrim. Ata thonë paska paguar Meta 700 mijë dollarë për të bërë foto me Trump. Nëse ju duket Vasili si Trumpi, a duket Petriti si Trumpi?

Mua më duket si zoti Vasili. E dyta nuk ka ceremoni më të sigurt se ajo e betimit të presidentit të SHBA-së. Është shumë e qartë dhe e verifikueshme do të jetë edhe në gjyq në Vjenë për këtë shkrimin pa emër.

LSI ka bërë një pagesë transparente 15 mijë dollarë për atë që e ka bërë, gjithçka tjetër është jo fake news, por një dramë e madhe. Duan t’i bëjnë të gjithë njëlloj. Pse do të bëja unë foto, kur nuk isha president dhe nuk kisha pse ta shqetësoja.

A nuk bëri zotëria si gruaja e Bilalit, falsifikoi, vajti tjetri më mbrapa dhe mori një rezultat edhe më të keq. Unë këto fotot i kam bërë që 30-vjeç me Klinton dhe Bush dhe as kam paguar as nuk do të paguaj asnjë cent.

Po të mos isha president nuk do i padisja, pasi këtu, këto i lexon cdo ditë. Mua nuk më prish punë se nuk kam për t’u votuar në Austri por do ta bëj për cështje dinjiteti” tha ai.

Ai tha se Edi Ramës i ka hyrë frika nga dosja e inceneratorëve. “Gojët e liga thonë se dy prej tyre janë edhe në Vjenë, ku ka dalë edhe ky artikulli i fundit. Ata nuk janë pronarët e vërtetë, ata kanë vendosur emrat, ashtu si disa oligarkë që kanë vendosur vetëm emrat, dihet kush është pronari dhe pse i ka hyrë tartakuti” deklaroi ai.