Është rënduar bilanci i të plagosurve nga shpërthimi i fuqishëm në ambientet e një kompanie ndërtimi në qytetin e Lushnjes.
Nga ajo që raportohet deri tani, një person ka mbetur i vdekur, i identifikuar si shtetasi Roland Hoxha, ndërsa 10 të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Shpërthimi dyshohet se ka ndodhur në momentin që një vinç, gjatë punës për ndërtimin e një kapanoni, ka prekur telat e shtyllës së tensionit të lartë.
Mes të plagosurve është edhe deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, i cili është pronar i biznesit ku ndodhi shpërthimi. Mësohet se Çela është transportuar në spital dhe ndodhet në sallën e operacionit ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjendja e tij shëndetësore raportohet se është e rëndë por e qëndrueshme.
Sakaq, katër punëtorët e tjerë të plagosur rëndë janë dërguar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Në vendngjarje shkoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.