Shtatori rezultoi një muaj me shumë fat për kombëtaren e Shqipërisë. Falë barazimit në transfertë ndaj Çekisë dhe fitores me Poloninë, kuqezinjtë e trajnerit Sylvinho renditen të parët në Grupin E kualifikuese për Europianin që zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani. Por, sukseset e Shqipërisë nuk janë një rastësi teksa është shefi i departamentit të skautëve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, Alarico Rossi thekson se gjithçka vjen si një punë e jashtëzakonshme, duke u bazuar shumë edhe te statistikat personale të secilit lojtar në klubet përkatëse.
“Kemi marrë shumë rezultate pozitive, por nuk janë një rastësi. Si fillim ndjekim me shumë kujdes lojtarët që mund të aktivizohen për Shqipërinë. Nëse ata kanë një pasaportë shqiptare atëherë merren në konsideratë. Ka shumë shqiptarë me nga dy pasaporta, janë një popull i madh, janë mbi 9 milionë shqiptarë në të gjithë botën.
Ne kemi një list të detajuar me kampionatet dhe statistikat e secilit futbollist. Kemi të dhëna mbi fizikun dhe teknikën që zotëron një lojtar. Situata i një lojtari matet nga kampionati ku luan dhe nga kualiteti që ka skuadra. Më pas kanë të bëjnë minutat në fushë dhe progresi që arrin së bashku me skuadrën. Një shembull; nëse një lojtar është titullar në një skuadër që bie nga kategoria, atëherë mbërrin në grumbullim i pakënaqur dhe kjo ndikon në zhvillimin e tij përfundimtar. Kur analizojmë një lojtar marrim parasysh edhe trajnerin me të cilin punon.
Nëse trajneri ndryshon gjatë sezonit atëherë kjo prek edhe lojtarin. Vetëm pas këtij procesi që lidhet ngushtë me statistikat, shkojmë më pas tek video-analiza. Jemi shumë persona që punojmë në këtë drejtim. Sigurisht, ne shohim lojtarë të cilët përshtaten edhe me skemat e trajnerit.
Por, kemi edhe një listë me disa opsione nëse trajneri kërkon të ndryshojë sistem. Janë të paktë lojtarët që ia dalin të kalojnë në të gjithë këtë rrugëtim, por në fund janë pesë apo gjashtë alternativa që i propozohen trajnerit”, u shpreh Rossi.
Ndeshja e radhës për Shqipërinë në këto eliminatore është ajo e datës 12 tetor ndaj Çekisë në Air Albania, një tjetër finale kjo për kuqezinjtë teksa një fitore do të ishte një hap i sigurt më pas drejt Euro 2024.