Autoriteti i Konkurrencës vendosi të hapë hetim të thelluar ndaj Tirana International Airport shpk., kompanisë që ka me koncesion Aeroportin e Rinasit si dhe ndërmarrjen Auto Holiday, që ofron shërbimin taksi në këtë aeroport, për kufizim të konkurrencës.

Përmes një njoftimi zyrtar Autoriteti bëri të ditur se TIA ka refuzuar ndërmarrjet e tjera që ofrojnë shërbimin taksi në ambientet e aeroportit ccka mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese.

Njoftimi i plotë i Autoritetit të Konkurrencës  

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 13.09.2023, vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK dhe ndërmarrjes Auto Holiday Albania SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 15 tetor 2023.

Ndërmarrja TIA ka zbatuar VKK nr. 987, datë 24.05.2023 “Për marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.”

Por deri në momentin e konstatimit nga Autoriteti i Konkurrencës ndërmarrja Tirana International Airport  SHPK ka vendosur në zonën e jashtme të mbërritjeve (ose ndryshe zona Kiss&Fly) tabelën me shkrimin “Ndalohet taksi pa pasagjerë”, si dhe nuk ka lejuar ofrimin e shërbimit dhe taksive të tjera që operojnë në treg, brenda territorit të Aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, i cili për nga vet natyra është një facilitet esencial për kryerjen e transportit ajror si dhe kjo ndërmarrje është poseduese dhe administruese e vetme e infrastrukturës dhe faciliteteve të aeroporti ndërkombëtar të Tiranës, duke zotëruar 100% të pjesëve të tregut përkatës.

Ndaj në kuptim të nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sjellja e TIA mund të përbëj abuzim me pozitën dominuese duke refuzuar aksesin ndërmarrjeve të tjera që janë të licensuara dhe që ofrojnë shërbimin e transportit rrugor të udhëtarëve me taksi nga aeroporti drejt Tiranës apo një destinacioni tjetër.